Klopp zbulon arsyen pse e refuzoi Unitedin në vitin 2013, pas largimit të Sir Alex Ferguson

Klopp zbulon arsyen pse e refuzoi Unitedin në vitin 2013, pas largimit të Sir Alex Ferguson

Sport October 20, 2025 - 17:20

Legjenda e Liverpoolit dhe ish-trajneri Jurgen Klopp ka zbuluar pse një herë kishte refuzuar bisedimet për të pasuar Sir Alex Ferguson te Manchester United.

Klopp, i cili u largua nga “Anfield” në verën e vitit 2024 pas nëntë vitesh të suksesshme në klub, foli për periudhën e tij te Liverpooli gjatë paraqitjes në podcastin “Diary of a CEO” të Steve Bartlett të hënën.

Gjatë bisedës me sipërmarrësin britanik, ish-trajneri i “The Reds” zbuloi se ishte kontaktuar nga Manchester United në vitin 2013, kur ishte trajner i Borussia Dortmundit – por vendosi ta refuzonte ofertën.

Që nga epoka historike e Fergusonit, i cili e udhëhoqi klubin drejt 13 titujve të Premierligës, dy Ligave të Kampionëve dhe pesë Kupave FA, United ka pësuar rënie të madhe – duke përfunduar në vendin e 15-të në tabelë sezonin e kaluar nën drejtimin e Ruben Amorim.

Pavarësisht disa trofeve si Kupa FA dhe Ligës së Evropës, United është larguar gjithnjë e më shumë nga suksesi në Premierligë gjatë 12 viteve të fundit, me David Moyes, Louis van Gaal, Jose Mourinho, Ole Gunnar Solskjaer dhe Erik ten Hag që dështuan ta rikthenin lavdinë e dikurshme.

Ndërkohë, Klopp – i cili erdhi në “Anfield” në vitin 2015 – e çoi Liverpoolin në drejtimin e kundërt, duke i dhënë fund pritjes 30-vjeçare për titullin kampion në 2020 dhe duke fituar Ligën e Kampionëve një vit më herët.

Skuadra që Klopp ndërtoi në “Anfield” vazhdoi të ketë sukses edhe pas largimit të tij, duke fituar përsëri Premierligën nën drejtimin e Arne Slot sezonin e kaluar.

Duke zbuluar se kishte pasur mundësi të bashkohej me United, Klopp tha: “Vitin kur Sir Alex doli në pension, ata folën me mua. Sigurisht që ishin të interesuar në një moment. Në atë kohë, edhe unë do të kisha interes, isha i ri – kisha një ekip të jashtëzakonshme te Dortmundi. Me siguri menduan: ‘Çfarë po bën ai atje?’ Më vonë dëgjova se lojtarët e mi – James Milner dhe Adam Lallana – kishin fluturuar për në Madrid kur ne (Dortmundi) kishim gjysmëfinale atje në Ligën e Kampionëve vetëm për të na parë të luanim. ‘Çfarë po bën Dortmundi? Çfarë futbolli është ky!’ Nuk ka kompliment më të madh se ky. United provoi (të më afrohej). Ishte koha e gabuar, momenti i gabuar. Kisha kontratë me Dortmundin dhe nuk do të largohesha për askënd. Ata donin një trajner të ri dhe unë isha një nga opsionet”.

Kur u pyet nëse ishte ai që refuzoi Unitedin, Klopp u përgjigj: “Po”, dhe shtoi: “Kishte disa gjëra në bisedë që nuk më pëlqyen. Ideja e tyre ishte shumë e madhe – ‘Do t’i marrim të gjithë lojtarët që duam, do ta marrim këtë, edhe atë’ – dhe unë isha ulur duke menduar: kjo nuk është projekti im. Ishte koha e gabuar dhe për më tepër, nuk ishte projekti im”.

Në vitet pas largimit të Fergusonit, United shpenzoi miliona për yje të profilit të lartë që dështuan në “Old Trafford”, si Angel Di Maria, Romelu Lukaku dhe Alexis Sanchez.

Klubi nuk hezitoi as të rikthente ish-lojtarë, si Paul Pogba (për 89 milionë £ në vitin 2016) dhe Cristiano Ronaldo në vitin 2021.

Duke theksuar se nuk do t’i kishte rikthyer këta lojtarë po të ishte trajner i United, Klopp tha:
“Nuk do ta kisha rikthyer Pogban. Ai ishte lojtar i jashtëzakonshëm, por këto gjëra zakonisht nuk funksionojnë. Apo Cristianon – të gjithë e dimë që është lojtari më i mirë, bashkë me Messin, në botë, por rikthimet rrallëherë ndihmojnë. Në vitin 2013 nuk bëhej fjalë për Cristianon, ndoshta për Paulin, nuk jam i sigurt, por ideja ishte: ‘T’i mbledhim lojtarët më të mirë dhe pastaj ecim përpara.’”

Bartlett ndërhyri: “Pra, nuk kishte të bënte me futbollin?”

“Jo aspak,” tha Klopp. “Dhe kjo nuk është për mua. Më pas erdhi një projekt i pastër futbolli me Liverpoolin. Dhe pata një bisedë fantastike me Mike Gordon. Ajo bisedë ishte shumë e rëndësishme. Pas saj, doja të bëhesha miku i tij. Ai është një njeri i mrekullueshëm”.

Bartlett, tifoz i Manchester United, e pyeti Kloppin pse rivalët e hidhur të Liverpoolit kanë dështuar kaq shumë që nga largimi i Fergusonit – një pyetje që e bëri gjermanin të qeshte me të madhe.

“Nuk kam menduar asnjë sekondë, që kur u bashkova me Liverpoolin, për atë që ka bërë United mirë apo keq. Në atë moment, unë iu përkushtova Liverpoolit dhe ata u bënë ‘kundërshtari’ ynë, ai që është më kënaqësi ta mposhtësh se të tjerët. Me Evertonin, njoh shumë tifozë të tyre në Liverpool, jetova atje për nëntë vjet, njerëz fantastikë. Por kur vjen ndeshja, është diçka tjetër. Nuk e sajoj – ashtu është. Në futboll, si në jetë, ke një problem dhe kërkon ta zgjidhësh menjëherë, pa menduar se pas dy ditësh do të kesh një tjetër. Nuk ka kuptim të mendosh për afatmesmen ose afatgjatën. Te United, thonë: ‘Le ta zgjidhim për një ose dy vjet dhe më pas bëjmë hapin e madh.’ Por je gjithmonë nën presion sepse duhet të fitosh ndeshjen e radhës. Dhe kur nuk janë të kënaqur, blejnë kohë”, vazhdoi Klopp.

Klopp përmendi edhe shembullin e largimit të Mourinhos, i cili u shkarkua pas vendit të dytë në Premierligë në vitin 2018 – një arritje që vetë portugezi e quajti më të madhen e karrierës së tij.

“Jose përfundoi i dyti, mbaj mend. Atëherë, vendi i dytë nuk ishte mjaftueshëm i mirë – dhe tani as që afroheni aty. Nuk është vetëm histori e Unitedit, është histori futbolli. Gjithmonë është kështu: fiton dhe je më i miri; humb dhe s’di asgjë nga futbolli; barazon dhe je i mërzitshëm. Gjithçka varet nga ideja jote dhe nga ajo që do të arrish. Gjithçka lidhet me zhvillimin – koha midis tani dhe atëherë ka rëndësi. Një lojtar mund të shënojë një gol apo pesë, por kjo nuk e zgjidh problemin nëse ke probleme të vërteta. Dhe unë nuk i di problemet e Unitedit. United është United – çdo hap është nën lupë. Fiton, por nuk luan bukur. Fiton, por një lojtar nuk bën mirë, dhe menjëherë kritikojnë. Trajneri duhet ta mbështesë dhe t’i thotë ‘jo, është në rregull’. Situata është krejt ndryshe. Problemi i vetëm tani është se ndërkohë që ke provuar të zgjidhësh problemet e tua, klubet e tjera janë përmirësuar. Liverpool ka një skuadër të jashtëzakonshme, Arsenali gjithashtu, City është City, Chelsea – edhe pse shpesh s’dihet kush e ka apo kush e huazon një lojtar — disi ia dalin. Tashmë ke katër ose pesë klube mbi vete – por a je i lumtur me vendin e gjashtë? Jo. Dhe ja ku qëndron problem”, përfundoi ai.