
Xabi Alonso e krahason Arda Gulerin me dy legjenda të Real Madridit
Xabi Alonso ka vlerësuar lart mesfushorin e Real Madridit, Arda Guler, duke e përshkruar atë si një kombinim mes Mesut Ozil dhe Gutit, përpara përballjes në Ligën e Kampionëve kundër Juventusit.
Reprezentuesi turk ka bërë përshtypje me kreativitetin dhe inteligjencën e tij në lojë, duke u kthyer në një element kyç të sistemit të Alonsos, teksa madrilenët përgatiten për një javë të rëndësishme që përfshin edhe El Clasicon ndaj Barcelonës.
Trajneri i Real Madridit veçoi Gulerin me një vlerësim të veçantë, duke e krahasuar 20-vjeçarin me dy nga emrat më të njohur të historisë së mesfushës madrilene.
“Jo vetëm për shkak të prejardhjes së tij, por për shkak të cilësisë që ka. Ai është një përzierje mes Ozil dhe Guti, sepse Guti dinte të luante pranë zonës dhe të jepte pasimin final”.
“Sa më shpesh ta aktivizojmë Ardan, aq më mirë luan skuadra. Duhet të vazhdojmë ta shtyjmë për të përmirësuar lojën e tij, por jam shumë i kënaqur”, ka thënë Alonso.
Ky vlerësim e konfirmon rolin gjithnjë e më të rëndësishëm që Guler po merr në mesin e fushës së Real Madridit, duke kombinuar vizionin, teknikën e rafinuar dhe aftësinë për të dhënë pasime vendimtare.
Që prej transferimit nga Fenerbahce në korrik të vitit 2023, Guler, i cilësuar shpesh si “Lionel Messi turk”, është integruar gradualisht në ekipin e parë dhe ka nënshkruar një kontratë gjashtëvjeçare, e vlefshme deri në qershor të vitit 2029.
Pasi u aktivizua me minutazh të kufizuar në fillim, ai fitoi besimin e Alonsos dhe u bë titullar më i rregullt, duke shënuar golin e parë të sezonit 2025/2026 në fitoren 2-1 ndaj Mallorcës në La Liga.
Performancat e tij të fundit i sollën çmimin “Lojtari më i mirë nën 23 vjeç” për muajin shtator në La Liga, pas kontributit me dy gola dhe dy asistime.
Nën drejtimin e Alonsos, Guler ka zhvilluar ndjeshëm kreativitetin dhe vendimmarrjen në fushë, duke treguar se është gati të shkëlqejë përkrah yjeve më të mëdhenj të klubit.