“Drita përfaqëson gjithë kombin shqiptar” - Pëllumbi pret mbështetje të madhe ndaj Omonias

“Drita përfaqëson gjithë kombin shqiptar” - Pëllumbi pret mbështetje të madhe ndaj Omonias

Sport October 22, 2025 - 18:28

Qendërmbrojtësi i Dritës, Jorgo Pëllumbi, është shprehur optimist para përballjes me Omonian nga Qipro, duke theksuar se skuadra gjilanase do të mbështetet shumë te përkrahja e tifozëve për të arritur një rezultat pozitiv.

Ndeshja Drita – Omonia zhvillohet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 18:45, dhe i takon xhiros së dytë të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës.

Skuadra e Dritës e nisi aventurën evropiane me një barazim 1-1 në udhëtim ndaj KuPS-it të Finlandës, duke siguruar pikën e parë në debutimin historik në këtë fazë të garës.

Në prag të ndeshjes, Pëllumbi tha se ekipi është i përgatitur dhe beson se mund të marrë fitoren, ndërsa bëri apel për mbështetje nga tifozët.

“Kemi bërë analizën. Kemi parë si luajnë si ekip. Jemi të gatshëm të bëjmë më të mirën që t’i ndalojmë dhe pse jo të fitojmë. Pika me KuPS-in ishte diçka e mirë edhe pse besoj se mund të kishim bërë akoma më mirë, të dilnim me fitore atje. Por kjo ka shkuar. Besoj se kemi shumë mundësi".

"Jemi të gatshëm të japim më të mirën nesër dhe pse jo të dalim me fitore. Presim mbështetje të madhe nga tifozët. Bëjmë thirrje për tifozët, jo vetëm të qytetit tonë por gjithë kombit. Drita përfaqëson jo vetëm Gjilanin por gjithë kombin shqiptar. Sa më shumë përkrahje të kemi, më shumë motiv do të kemi gjatë ndeshjes”, deklaroi Pëllumbi.