Krenari shqiptare në Shkup, Shkëndija me pikët e para në Evropë

Krenari shqiptare në Shkup, Shkëndija me pikët e para në Evropë

Sport October 23, 2025 - 20:56

Kampioni i Maqedonisë triumfon 1-0 ndaj Shelbourne para 3 mijë tifozëve dhe regjistron fitoren e parë në historinë e vet në garat e UEFA-s.

Kampioni i futbollit të Maqedonisë, Shkëndija, e zhvilloi ndeshjen e parë para publikut të vet në UEFA Ligën e Konferencës dhe para rreth 3.000 shikuesve në Arenën “Todor Proeski” arriti të triumfojë ndaj skuadrës irlandeze Shelbourne (1-0). Kjo është fitorja e parë për tetovarët në garat evropiane të UEFA-s, ku janë debutues, por edhe për vetë Maqedoninë, para ndeshjes së dytë në shtëpi që do ta luajnë në nëntor kundër skuadrës polake Jagiellonia.

Pjesa e parë mes dy skuadrave nisi me shumë kujdes, edhe pse pritej një start më ofanziv nga Shkëndija. Loja u zhvillua kryesisht në mesfushë dhe pati shumë ndërprerje për shkak të faulleve. Të dyja ekipet provuan gjuajtje, por asnjëra nuk ishte kërcënim serioz. Rastin më të mirë e pati Tamba, i cili goditi nga rreth 20 metra, por topi kaloi mbi traversë.

Në fillim të pjesës së dytë, trajneri i ShkëndijësBeqiri, bëri disa zëvendësime në lojë hynë Ramadani dhe Spahiu, me qëllim që të gjallërohej mesfusha që kishte vështirësi në lidhjen me sulmin. Ndryshimet dhanë efekt: Spahiu rrezikoi në minutën e 52-të, ndërsa pak më vonë edhe Krasniqi pati një rast të mirë, por nuk shënoi. Nga ana tjetër, Shelbourne rrezikoi dy herë, njëherë me Wood, dhe më pas seriozisht me kapitenin Coyle, i cili në minutën e 66 goditi shtyllën e portës së Gajës.

Në minutën e 70-të, Shkëndija doli në kundërsulm me Tambën, i cili u gjend përballë portës, por gjuajtja e tij shkoi mbi traversë. Në 20 minutat e fundit munguan rastet e rrezikshme, deri në kohën shtesë kur pas një goditjeje këndi të Ronaldo Webster, topi u devijua nga lojtari i ekipit irlandez Patrick Barrett, duke përfunduar në rrjetë. Kështu, Shkëndija shënoi një fitore të madhe historike në arenën evropiane.
Pas këtij suksesi, Shkëndija do të zhvillojë ndeshjen e javës së tretë më 6 nëntor në Poloni, kundër Jagiellonia Biaëystok.