Tudori pas humbjes nga Lazio: Moment i vështirë, jemi të zhgënjyer
Trajneri i Juventusit, Igor Tudor, ka folur pas humbjes 1-0 ndaj Lazios në “Olimpico”, disfatë që thellon krizën e torinezëve.
Në një intervistë për “Dazn”, Tudori e pranoi se skuadra po kalon një moment të vështirë, por kërkoi unitet dhe përkushtim për të dalë nga kjo situatë.
“Ekipi filloi mirë, duke lënë mënjanë gabimin e Davidit. Është një kohë e vështirë, duhet të qëndrojmë të bashkuar. Jam i zhgënjyer sepse çdo herë ndodh që dikush të gabojë dhe kjo na kushton shumë”, u shpreh Tudori.
Tekniku kroat tha se, pavarësisht përpjekjeve, mungon vendosmëria në momentet kyçe.
“Djemtë po punojnë fort, por mungon ajo qetësi dhe përqendrim që bën diferencën. Lazio është një skuadër e fortë, por ne duhet të japim më shumë në fazën ofensive”, ka theksuar ai.
Kjo humbje e lë Juventusin jashtë zonës së Ligës së Kampionëve, duke rritur presionin mbi Tudorin, i cili kërkon reagim të menjëhershëm në ndeshjet e ardhshme.