"E kuptoj, por la një përshtypje të keqe" - Kroos për shpërthimin e Vinicius në El Clasico
Ish-mesfushori legjendar i Real Madridit, Toni Kroos, ka reflektuar mbi El Clásicon dhe reagimin e ashpër të Vinicius Junior pasi u zëvendësua nga trajneri Xabi Alonso.
Braziliani u pa dukshëm i irrituar kur la fushën për t’i bërë vend Rodrygos, ndërsa Kroos, që e njeh mirë nga vitet e përbashkëta në Madrid, e komentoi ngjarjen në podcastin e tij, shkruan Marca.
Kroos shfaqi mirëkuptim për zhgënjimin e Viniciusit, duke pranuar se çdo lojtar i madh ndjen të njëjtën gjë kur hiqet nga loja.
“Kur luan një ndeshje të madhe, veçanërisht në një përballje si El Clásico, është e kuptueshme që nuk je i lumtur. As mua nuk më pëlqeu kurrë të zëvendësohesha. Por, për të qenë i sinqertë, nuk shkova kurrë direkt në dhomën e zhveshjes më pas”, deklaroi gjermani.
Ai shtoi se është e lehtë të gjykosh nga jashtë, por pak njerëz e kuptojnë intensitetin dhe emocionin e atij momenti.
“Nëse nuk ke qenë në fushë përpara 80 mijë tifozëve, me rezultatin 2-1 dhe gjithë tensionin e El Clásicos, nuk mund ta kuptosh pse një lojtar nuk dëshiron të dalë”, theksoi Kroos.
Kroos beson se Vinicius, me qetësi dhe reflektim, do ta kuptojë se reagimi i tij ishte i tepruar.
“Kur të qetësohet, ndoshta do të mendojë: ‘Epo, mund ta kisha mbajtur zemërimin pak më gjatë.’ Një reagim i tillë është i natyrshëm në nxehtësinë e momentit, por nuk lë përshtypjen më të mirë”, tha ai.
Në fund, Kroos siguroi tifozët e Real Madridit se incidenti nuk do të ketë pasoja të mëdha. Ai theksoi se Xabi Alonso, si ish-lojtar i madh vetë, e di si ta trajtojë situatën.
“Kam qenë në situata të ngjashme. Nuk duhet ta marrësh gjithmonë çdo reagim si diçka serioze. Trajnerët që kanë qenë vetë lojtarë, si Xabi, zakonisht e kuptojnë shumë mirë këtë”, përfundoi Toni Kroos.