Amir Rrahmani në bankën rezervë për ndeshjen e Napolit ndaj Lecces

Amir Rrahmani në bankën rezervë për ndeshjen e Napolit ndaj Lecces

Sport October 28, 2025 - 18:06

Lecce pret Napolin në stadiumin “Via del Mare” sonte në mbrëmje, ndërsa skuadra e Antonio Contes kërkon të shkëputet përkohësisht me tre pikë në krye të Serie A.

Pas një fitoreje mbresëlënëse në “Stadio Maradona” ndaj rivalit për titull, Interit, fundjavën e kaluar, Napoli duket se po rikthehet në formë pas një jave të vështirë më parë.

Pas humbjes zhgënjyese 1-0 ndaj Torinos dhe disfatës së rëndë 6-2 ndaj PSV-së javën e kaluar, skuadra e Contes reagoi me një fitore bindëse 3-1 ndaj Interit.

Fatkeqësisht për Conten, mesfushori kyç Kevin De Bruyne pësoi një dëmtim gjatë asaj ndeshjeje, dhe tani Napoli do të duhet të përballet për një periudhë pa mesfushorin belg.

Gjithashtu, Scott McTominay ulet në stol, pasi Conte zgjedh një treshe mesfushore me Billy Gilmour, Eljif Elmas dhe André-Frank Zambo Anguissa.

Në sulm, Lorenzo Lucca e nis nga fillimi, ndërsa Politano dhe Noa Lang do të veprojnë nga krahët.

Kjo shënon rikthimin e Contes te formacioni 4-3-3, pas përdorimit të sistemit 4-1-4-1 për pjesën më të madhe të sezonit deri tani.

Formacionet zyrtare:

Lecce (4-3-3): Falcone; Gallo, Gabriel, Gaspar, Veiga; Berisha, Ramadani, Coulibaly; Banda, Camarda, Pierotti

Napoli (4-3-3): Milinkovic-Savic; Di Lorenzo, Juan Jesus, Buongiorno, Olivera; Anguissa, Gilmour, Elmas; Politano, Lucca, Lang

Në bankën rezervë të Napolit është rikthyer edhe kapiteni i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani.

Rrahmani ka pothuajse dy muaj pa luajtur asnjë minutë futboll, pasi kishte pësuar një lëndim me kombëtaren e Kosovës ndaj Zvicrës më 5 shtator.

Ai një herë u ftua për ndeshjen e Napolit ndaj Pisas më 22 shtator, mirëpo nuk luajti fare.

Rikthimi i sontëm i Rrahmanit shton shpresat që ai mund të luajë nga ndeshjen e fundjavës ndaj Comos në formacionin startues, dhe të jetë sa më i gatshëm për ndeshjet jetike të Kosovës në nëntor.

Kosova përballet me Slloveninë në Ljubjanë më 15 nëntor, teksa e pret Zvicrën në Prishtinë më 18 nëntor.

“Dardanët” momentalisht janë të dytit në Grupin B të kualifikimeve për Botërorin e 2026-ës, me shtatë pikë nga katër takime. Zvicra është e para me dhjetë pikë.

Në varësi të disa kombinimeve, që mund të shkojnë në favor të Kosovës, kombëtarja dardane mund të shkojë në ShBA, Kanada e Meksikë edhe nga vendi i parë.