 
 
													Mbappe fiton “Këpucën e Artë”
Ylli i Real Madridit, Kylian Mbappe, është shpërblyer me “Këpucën e Artë” për sezonin e jashtëzakonshëm 2024/25, pas paraqitjeve të tij të jashtëzakonshme.
Sulmuesi francez realizoi 44 gola në të gjitha kompeticionet gjatë sezonit të kaluar, prej të cilëve 31 në La Liga, çka i solli edhe çmimin “Pichichi” për golashënuesin më të mirë të kampionatit spanjoll.
Ceremonia e ndarjes së çmimit u zhvillua sot në “Santiago Bernabeu”, ku presidenti i klubit Florentino Perez i dorëzoi trofeun Mbappes, në prani të bashkëlojtarëve të tij dhe të atit të futbollistit.
Me këtë arritje, 26-vjeçari bëhet lojtari i tretë i Real Madridit që fiton “Këpucën e Artë” në histori, pas legjendave Hugo Sanchez dhe Cristiano Ronaldo.
Pas marrjes së çmimit, Mbappe shprehu mirënjohjen ndaj bashkëlojtarëve dhe tifozëve, duke premtuar se do të synojë ta fitojë sërish edhe vitin e ardhshëm.
“Është një nder i madh të jem pjesë e historisë së këtij klubi. Falënderoj skuadrën dhe tifozët që më kanë mbështetur në çdo moment. Do të punoj fort për ta bërë përsëri”, ka thënë Mbappe.
Forma e tij e lartë po vazhdon edhe në sezonin e ri, pasi francezi ka regjistruar 16 gola në La Liga dhe Ligën e Kampionëve deri më tani, duke konfirmuar statusin e tij si një nga sulmuesit më të mirë në botë.
 
 
											