Shkëndija rikthehet te fitorja, para sfidës evropiane

Shkëndija rikthehet te fitorja, para sfidës evropiane

Sport October 31, 2025 - 15:49

Pas dy ndeshjeve pa fitore në kampionat, kampionët e Maqedonisë, Shkëndija e Tetovës, u rikthyen te triumfi në transfertë ndaj Brera Strumicës (3–2). Megjithëse ekipi fitoi me rezultat të ngushtë, loja zbuloi mangësi në fazën mbrojtëse që stafi teknik duhet t’i korrigjojë para sfidës së radhës në Ligën e Konferencës kundër Jagiellonias.

Kampioni aktual i Maqedonisë, Shkëndija, arriti një fitore të vlefshme në transfertë ndaj Brera Strumicës me rezultat 3–2, duke ndërprerë serinë prej dy ndeshjesh pa sukses në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut.
Sfida e zhvilluar në stadiumin “Bllagoj Istatov” solli emocione dhe raste të shumta, me Shkëndijën që, ndonëse triumfoi, tregoi pasiguri në mbrojtje që mund të jenë shqetësim për ndeshjen evropiane që e pret.

Kuqezinjtë kaluan shpejt në epërsi, në minutën e 12-të, pas një gabimi të portierit vendas Iloski, ku Fiton Ademi shënoi pas një pasimi nga Webster. Vetëm pak minuta më vonë, Vane Krstevski, ish-lojtar i Brerës, dyfishoi rezultatin pas një kombinimi të bukur me Ademin dhe dërgoi topin saktë në cepin e portës për 0–2.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e tetovarëve, ndërsa vendasit u kthyen në lojë në minutën e 54-të me golin e Ndezengues, i cili shfrytëzoi një hapësirë në mbrojtjen e Shkëndijës.
Megjithatë, vetëm gjashtë minuta më pas, Krasniqi riktheu epërsinë e dy golave (1–3) pas një aksioni të shpejtë me Zejnullain dhe Trumçin.

Vendasit patën rast të ngushtojnë rezultatin përmes një penalltie, por Ndezenga gaboi nga pika e bardhë. Ai u përmirësua në minutën e 70-të, duke shënuar golin e dytë të Brerës për 2–3, pas një situate të verifikuar me VAR.

Në minutat e fundit, Brera shtoi presionin, duke krijuar dy raste të rrezikshme, por mbrojtja kuqezi, me ndihmën e portierit Gaje, e ruajti avantazhin deri në fund.
Shkëndija doli nga Strumica me tri pikë të arta, por edhe me detyra për të përmirësuar organizimin defensiv.

Ky rezultat vjen në momentin ideal për skuadrën e Jeton Beqirit, që tashmë e ka gjithë vëmendjen te ndeshja e rëndësishme në kuadër të Ligës së Konferencës, kundër Jagiellonias nga Polonia — një test serioz për kampionët tetovarë në arenën evropiane.