Yakin pyetet për “finale” e mundshme në Prishtinë dhe mungesën e Ardon Jasharit

Yakin pyetet për “finale” e mundshme në Prishtinë dhe mungesën e Ardon Jasharit

Sport November 05, 2025 - 18:45

Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, është i vendosur që skuadra e tij ta sigurojë kualifikimin në Kampionatin Botëror 2026 sa më herët të jetë e mundur — idealisht në ndeshjen e radhës kundër Suedisë, më 15 nëntor.

Me një fitore në atë përballje, Zvicra do të siguronte zyrtarisht pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror, pavarësisht rezultatit të ndeshjes tjetër të grupit mes Sllovenisë dhe Kosovës.

Në këtë rast, takimi i 18 nëntorit në stadiumin “Fadil Vokrri” do të kishte rëndësi vetëm për “Dardanët”, të cilët po ndjekin ëndrrën e tyre historike për një vend në play-off ose kualifikim direkt.

Megjithatë, ekzistojnë edhe skenarë të tjerë që mund ta kthejnë përballjen Kosovë – Zvicër në një “finale” të vërtetë për vendin e parë në grup.

Në konferencën për shtyp të mbajtur të mërkurën, pas shpalljes së listës së lojtarëve të ftuar, Yakin u pyet pikërisht për këtë mundësi.

“Ne i marrim ndeshjet një nga një dhe synojmë ta përfundojmë çështjen e kualifikimit në ndeshjen kundër Suedisë. Nuk mund të ndikojmë në gjëra që nuk janë në dorën tonë”, deklaroi Yakin.

Zvicra aktualisht kryeson Grupin B me tri fitore dhe një barazim, pa asnjë gol të pranuar, por vetëm tri pikë përpara Kosovës, që është në formë të shkëlqyer dhe po kërkon suksesin më të madh në historinë e saj.

Në listën e tij, ai ka përfshirë Granit Xhakën, Andi Zeqirin dhe Adrian Bajramin, ndërsa Ardon Jashari do të mungojë sërish.

“Ardoni është kthyer së fundmi pas një dëmtimi dhe ende nuk është 100% gati. E kemi vendosur bashkë që ta kalojë këtë grumbullim pa luajtur”, – shpjegoi përzgjedhësi për mesfushorin e Milanit, i cili mungoi për gati dy muaj për shkak të një lëndimi të rëndë.