Franco Foda publikon listën e futbollistëve për dy ndeshjet e nëntorit
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Kupës së Botës 2026 ndaj Sllovenisë, më 15 nëntor dhe Zvicrës, më 18 nëntor, njofton Federata e Futbollit e Kosovës, transmeton “Zëri”.
Foda ka ftuar 28 futbollistë, derisa në listën rezervë janë edhe 11 futbollistë të tjerë.
Dardanët do të grumbullohen të hënën, më 10 nëntor, kur edhe do të mbahet stërvitja e parë në Kampin Nacional në Hajvali në orën 17:00, kurse paraprakisht në të njëjtën ditë, në orën 12:00, në hotel “Emerald” përzgjedhësi Foda do të paraqitet në konferencë për media.
Ndeshjen e parë Dardanët e zhvillojnë në Lubjanë kundër Sllovenisë, kurse më pas në stadiumin “Fadil Vokrri” përballen me Zvicrën.
Aktualisht Kosova renditet në pozitën e dytë në Grupin B, me 7 pikë, derisa Zvicra kryeson me 10 pikë. Dardanëve u mjafton një pikë ndaj Sllovenisë për ta siguruar “play-off”-in, por në rastin më të mirë mund edhe të kualifikohen direkt në Botërorin 2026.

