Julian Alvarez hap derën për një transferim të mundshëm te Barcelona ose PSG në verë

Julian Alvarez hap derën për një transferim të mundshëm te Barcelona ose PSG në verë

Sport November 08, 2025 - 13:05

Sulmuesi i Atletico Madridit, Julian Alvarez, ka zbuluar se Paris Saint-Germain është përpjekur ta transferojë atë në të kaluarën dhe po i mban të hapura opsionet për të luajtur për gjigantët e Ligue 1 dhe Barcelona sezonin e ardhshëm.

Alvarez është identifikuar si objektivi kryesor i Barcelonës për të zëvendësuar Robert Lewandowskin, i cili do të jetë pa kontratë në fund të sezonit.

Megjithatë, problemet financiare të Barcelonës mund të jenë një pengesë në nënshkrimin e Alvarez, i cili vlerësohet në rreth 80 milionë euro.

25-vjeçari ka qenë i frytshëm këtë sezon, duke shënuar nëntë gola dhe katër asistime në 14 ndeshje, teksa është lidhur edhe me një transferim te PSG.

Sulmuesi argjentinas ka folur tashmë për situatën e tij, teksa ka lënë derën e hapur për një transferim të madh gjatë verës te ndonjëri prej klubeve.

“Po, është e vërtetë që pati interes nga PSG-ja për mua, si dhe diskutime të mira me agjentin tim, por kjo nuk ndodhi”, ka thënë fillimisht sulmuesi argjentinas.

"Nëse e imagjinoj të luaj për Barçën ose PSG-në në të ardhmen? Sinqerisht, nuk e di. Për momentin, jam i përqendruar te Atltico Madridi; do të bëjmë një bilanc në fund të sezonit”, përfundoi Alvarez. /telegrafi