Foda optimist: Mund t’ia dalim kundër Sllovenisë
Foto: Laura Hasani

Foda optimist: Mund t’ia dalim kundër Sllovenisë

Sport November 10, 2025 - 12:32

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda, të hënën në një konferencë për media ka folur për ndeshjet e nëntorit.

Dardanët më 15 nëntor do të luajnë në udhëtim te Sllovenia, derisa tri ditë më vonë kombëtarja jonë në “Fadil Vokrri” përballet me Zvicrën.

Strategu gjerman thotë se Kosova do të jetë gati për duelin me sllovenët.

Sipas tij, të gjithë lojtarët e ftuar janë në formën të mirë përfshirë edhe të rikthyerit në ekipin kombëtar, Amir Rrhamnin dhe Lumbardh Dellovën.

“Qysh në fillim kam thënë se gjithçka do të varet deri në fund të këtij cikli. Jemi afër dhe i gjithë fokusi është tek ndeshja me Slloveninë dhe do të luftojmë që së paku të marrim një pikë dhe të arrijmë ‘Play-off-in’ e pastaj të shohim”, ka thënë Foda.

“Të gjithë lojtarët janë në gjendje shumë të mirë fizike dhe kanë kaluar mirë në ndeshjet e fundit. Rrahmani dhe Dellova janë rikthyer dhe janë në gjendje optimale. Kemi shumë alternativa në ekip dhe shpresoj që të gjithë lojtarët të jenë gati gjatë gjithë javës. Edhe në ndeshjet e kaluara, me mungesa të ndryshme, kemi treguar se mund t’ia dalim dhe të fitojmë".

"Aro Muriq është i suspenduar dhe nuk mund të luajë me Slloveninë. E dimë që ai po kalon një formë të mirë, por kemi tri opsione për portën, dhe njëri prej tyre do ta zëvendësojë. Në ditët në vijim do të vendosim se cili prej tyre do të luajë”, deklaroi Foda.

Ai thotë se ende nuk është arritur synimi i kombëtares sonë. Foda shpreson se në Slloveni do të arrihet ‘Play-off-i’.

“Akoma nuk kemi arritur atë që e kemi dëshiruar. Është më rëndësi që në ndeshjen e radhës dhe të shkruajmë historinë. E kemi analizuar lojën e Sllovenisë, e kemi analizuar edhe lojën e Sllovenisë kundër Zvicrës. Tani ne kemi më shumë mundësi, kemi Rrahmanin, Dellovën dhe unë mendoj se ne jemi gati. Është shumë më rëndësi që ne të marrim një pikë dhe të sigurojmë ‘play-off-in’”, ka përfunduar Foda.

Kombëtarja e Kosovës sot pas ditë do të zhvillojë seancën e parë para duelit me Slloveninë. /rtk