Dardanët në mision drejt Botërorit: Muriqi optimist, Foda me luks zgjedhjesh në mbrojtje

Dardanët në mision drejt Botërorit: Muriqi optimist, Foda me luks zgjedhjesh në mbrojtje

Sport November 15, 2025 - 13:20

Kombëtarja e Kosovës do të përballet sonte kundër Sllovenisë në “Stozhice” në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.

Sulmuesi Vedat Muriqi, pret ndeshje të vështirë, por shpreson në dy fitore radhazi dhe që “Dardanët” të shkojnë direkt në Kupën e Botës, e jo vetëm përmes plejofit.

“Mendoj se ka me qenë ndeshje më e vështirë se ajo që e kemi lujtë në Kosovë sepse Sllovenisë nuk i duhet asgjë pos fitores”, ka deklaruar Muriqi të premten në konferencë për media.

“Normal se duhet me e garantu plejofin nesër, e pastaj varet rezultati me Zvicrën, pse jo mos me luftu për vendin e parë në ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë”.

“Shpresoj që kemi me e ndëshku Slloveninë edhe me e pasë avantazhin e duhur për me luftu direkt për në Kupën e Botës”, u shpreh ai.

Ndërkaq, “pirati” i Mallorcas tha se nëse do të shënojë dhe ai gol do t’ia sigurojë Kosovës fitoren, do të jetë njeriu më i lumtur në botë.

“Gjithmonë kom thanë që golat nuk kanë rëndësi, me rëndësi është fitorja e ekipit, sidomos kur është me kombëtare. Por nëse shënoj dhe arrijmë me e fitu lojën, s’besoj që ka me pasë njeri ma të lumtun se unë”, deklaroi Muriqi.

E trajneri i Kosovës, Franco Foda, është pyetur për luksin që ka në mbrojtje. Austriaku u shpreh i lumtur por tha se në fund luajnë vetëm 11 lojtarë në fushë.

Foda të premten e konfirmoi gatishmërinë e kapitenit Amir Rrahmani, i cili i kishte munguar Kosovës në dy ndeshjet e fundit, teksa për Edon Zhegrovën tha se “do të shohim nesër”.

“Po, të gjithë lojtarët dhe mbrojtja kanë luajtur mirë, kemi zgjedhje. Të gjithë, sidomos qendërmbrojtësit, kanë pasur paraqitje të mira me klubet e tyre dhe kombëtaren”, ka thënë Foda në konferencë për media.

“Për mua është shumë e rëndësishme që të gjithë janë në dispozicion. Nuk duhet të harrojmë që duhet t’i zgjedhim vetëm 11 lojtarë që janë në fushë. Disa do të mbesin jashtë, por kjo nuk do të thotë që ata nuk janë të rëndësishëm. E rëndësishme është që të gjithë janë të gatshëm dhe kjo normalisht më gëzon mua si trajner”, deklaroi Foda.

I pyetur se me kë do të startojë në sulm, ai tha: “Shohim nesër”.

Ndeshja kundër Sllovenisë është e parafundit në këtë fazë të grupeve, dhe luhet nga ora 20:45.

“Dardanët” aktualisht janë në vendin e dytë me 7 pikë, 3 më pak se Zvicra në vendin e parë me të cilën Kosova luan të martën. Sllovenia ndërkaq është në vendin e tretë me 3 pikë. E Suedia në të fundit me vetëm 1 pikë nga katër ndeshje të zhvilluara.