Cana tregon bisedën me Xhakën para kalimit te Sunderlandi: Aty do të gjesh pasion të rrallë

Cana tregon bisedën me Xhakën para kalimit te Sunderlandi: Aty do të gjesh pasion të rrallë

Sport November 15, 2025 - 16:09

Ish-kapiteni i Shqipërisë dhe ish-lojtari i Sunderlandit, Lorik Cana, ka zbuluar një detaj interesant rreth marrëdhënies së tij me Granit Xhakën dhe bisedës që kanë pasur para se mesfushori zvicerano-kosovar t’i bashkohej skuadrës angleze.

Cana, sipas faqes zyrtare të Sunderlandit, ka thënë se ka biseduar me Xhakën para se ky i fundit të merrte vendimin të rikthehej në kampionatin anglez.

“E kam njohur familjen e Granit Xhakës për më shumë se 30 vjet. Kemi të njëjtin prejardhje, familjet tona janë nga Kosova. Graniti është bujar në fushë, dhe i njëjti njeri është edhe jashtë saj. Siç e shohin të gjithë, ai është një lojtar fantastik. Para se të vinte te Sunderland, biseduam. I thashë se aty do të gjente një pasion që rrallë e ka përjetuar”, ka thënë Cana, i cili vetë ka qenë pjesë e Sunderlandit në sezonin 2009/10, raporton Klankosova.tv.

Deklarata e tij vjen mes formës së shkëlqyer që Xhaka po shfaq dhe vlerësimeve të shumta që po merr në futbollin evropian.

Xhaka ka marrë qysh në start të sezonit shiritin e kapitenit, ndërsa nga shumë po konsiderohet si transferi i sezonit veror në kampionatin anglez.

Sunderlandi aktualisht është në vendin e katërt, me 19 pikë, 7 larg Arsenalit që mban kreun.