“Jam i lumtur për ekipin, për lojtarët”, Foda flet pas fitores ndaj Sllovenisë
Foto: Laura Hasani

“Jam i lumtur për ekipin, për lojtarët”, Foda flet pas fitores ndaj Sllovenisë

Sport November 15, 2025 - 23:55

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, është shprehur jashtëzakonisht i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij në fitoren historike 2-0 ndaj Sllovenisë në “Stozice”, një rezultat që i siguroi Kosovës pjesëmarrjen në paly-off për Kupën e Botës 2026 – sukses ky i arritur për herë të parë në histori.

Dardanët zhbllokuan takimin herët, me golin e Fisnik Asllanit në minutën e 6-të. Në pjesën e dytë, Kosova e dyfishoi epërsinë falë autogolit të Zan Karnicnik.

Pas ndeshjes, Foda theksoi se ekipi i tij ka luajtur pikërisht ashtu siç ishte përgatitur.

"Jam i lumtur për ekipin, për lojtarët. Kanë luajtur shumë mirë, të bashkuar. Do të përgatitemi për ndeshjen me Zvicrën. Shpresoj se do të fitojmë. Djemtë kanë luajtur ashtu siç jemi përgatitur".

Ai komentoi edhe atmosferën e zjarrtë në Lubjanë, ku mijëra tifozë kosovarë krijuan një mjedis të jashtëzakonshëm.

“Nuk mund të them se atmosfera ishte më e mirë se në Prishtinë. Por atmosfera ishte fantastike. Jam falënderues për të gjithë që ishin të pranishëm. Unë dhe të gjithë në Federatën e Futbollit të Kosovës jemi falënderues dhe krenar për tifozët që i kemi pasur kudo që kemi luajtur. Jemi të lumtur që ata janë krenar me ekipin kombëtar”, ka thënë tutje ai.

Kosova, me këtë fitore të tretë në grup, ngjitet në kuotën e 10 pikëve, duke e siguruar matematikisht play-offin, ndërsa Zvicra kryeson me 13 pikë. Sllovenia mbetet me 3 pikë dhe Suedia me vetëm 1 pikë.

Tani gjithë fokusin, Foda dhe djemtë e tij e kanë te sfida e radhës – dueli ndaj Zvicrës, që mund të vendosë edhe për pozitën finale në grup.