Mësohet sa do të jetë numri i tifozëve zviceranë në “Fadil Vokrri”
Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë Kosova dhe Zvicra do të përballen në ndeshjen e fundit të fazës së gupeve për kualifikimet për Kampionatit Botëror.
Blick shkruan se Zvicra do të ketë mbështetjen e 900 tifozëve për ndeshjen kundër Kosovës, e cila zhvillohet të martën nga ora 20:45.
Federata Zvicerane e Futbollit ka konfirmuar se pjesëmarrja e tifozëve do të jetë e ndarë mes sektoreve zvicerane dhe mysafirëve VIP.
Rreth 600 tifozë do të vendosen në sektorin mysafir, ku do të krijojnë atmosferë mbështetëse për ekipin, ndërsa rreth 300 persona të tjerë, përfshirë miq, familjarë dhe mysafirë VIP, do të jenë gjithashtu të pranishëm për të ndjekur ndeshjen dhe për të përkrahur lojtarët e Murat Yakinit.
Kjo ndeshje ka një rëndësi të veçantë për Zvicrën, e cila synon të sigurojë vendin e saj në finalet e Kupës së Botës, ndërsa për Kosovën është një sfidë e madhe për të treguar vlerën e ekipit dhe për të përfunduar grupin me një paraqitje të fortë përpara tifozëve të vet.
Zvicra kërkon të konfirmojë vendin e saj në Botëror, ndërsa Kosova ka siguruar pjesëmarrjen në Play-off dhe kërkon të tregojë forcën e saj përpara një audience të madhe. /Telegrafi