Benzema mbështet Zidanen për rolin e trajnerit të Francës
Sulmuesi i Al-Ittihad dhe ish-ylli i Francës, Karim Benzema, beson se Zinedine Zidane është i përshtatshëm për postin e trajnerit të ekipit kombëtar.
Zidane ka lënë të kuptohet para disa ditësh së është afër rikthimit si trajner dhe kombëtarja e Francës është ekipi më i përfolur që ai mund ta marrë për ta drejtuar.
I këtij mendimi është edhe ish-ylli i tij te Real Madridi, Benzema, i cili beson se Zidane është adekuat për stolin e “Gjelave”.
"Mendoj se ai ka gjithçka që duhet për të qenë atje. Ai e ka provuar këtë te Real Madridi. Tani ka një trajner tjetër, por mendoj se Zidane është numri një", tha ish-ylli i Real Madridit.
Trajneri aktual i “Les Bleus”, Didier Deschamps, pritet të japë dorëheqjen nga pozicioni i tij pas Kupës së Botës 2026.
Ndërkohë, Zidane, i cili ka qenë prej kohësh i lidhur me ekipin kombëtar, kohët e fundit la të kuptohej se rikthimi i tij në menaxhim është i afërt.