Remzi Ejupi ia hap dyert e suksesit sportistëve kosovarë drejt klubeve të Arabisë Saudite

Remzi Ejupi ia hap dyert e suksesit sportistëve kosovarë drejt klubeve të Arabisë Saudite

Sport November 18, 2025 - 16:13

Gjatë vizitës së tij në Arabinë Saudite, ku mori pjesë në Panairin e Ndërtimtarisë dhe Turizmit, biznesmeni i njohur Remzi Ejupi ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme, jo vetëm në fushën e biznesit, por edhe në atë sportive.

Ai ka bërë të ditur se ka pasur bisedime të frytshme me përfaqësues të klubeve saudite të futbollit dhe drejtues të sektorit sportiv në këtë vend, duke theksuar interesimin e madh të tyre për bashkëpunim me futbollin kosovar.

Arabia Saudite, e cila vitet e fundit ka bërë investime të mëdha në futboll dhe është shndërruar në destinacion të yjeve botërorë, po synon të masivizojë sportin e futbollit me qëllim organizimin e Kampionatit Botëror 2034. Në këtë kuadër, klubet saudite janë shprehur të gatshme të hulumtojnë më shumë tregun kosovar.

Sipas Ejupit, në të ardhmen priten vizita të klubeve saudite në Kosovë për të vëzhguar futbollistë me potencial që mund të transferohen në kampionatin saudit, ku ofrohen kushte të favorshme financiare. Interesim është shprehur edhe për trajnerë kosovarë, të cilët mund të punojnë që nga shkollat e futbollit deri në nivele më të larta.

Ai ka zbuluar se ka vërejtur interesim të dukshëm edhe nga biznesmenë sauditë për të investuar në futbollin kosovar, madje edhe për të marrë drejtimin e ndonjë klubi vendor.

Gjithashtu, drejtues të klubeve saudite kanë kërkuar informacione mbi mundësinë e zhvillimit të fazave përgatitore verore në Kosovë, për shkak të kushteve klimatike më të favorshme sesa në Arabinë Saudite. Por Ejupi ka theksuar se infrastruktura aktuale sportive në vend nuk ofron shumë opsione për të pritur ekipe të huaja.

Ai shpreson që në të ardhmen të bëhet më shumë në këtë drejtim, duke theksuar se zhvillimi i infrastrukturës do t’i sillte përfitime të rëndësishme shtetit të Kosovës.

Në fund, Ejupi ka nënvizuar gatishmërinë e tij për të vazhduar kontributin ndaj futbollit dhe Kosovës, siç ka bërë gjithmonë deri tani. /Zëri