Kosova U-21 mbetet në garë për kualifikim në Kampionatin Evropian

Kosova U-21 mbetet në garë për kualifikim në Kampionatin Evropian

Sport November 18, 2025 - 19:39

Kombëtarja e Kosovës U-21 ka luajtur baras me rezultat 0-0 në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.

Në minutën e shtatë, Jashari u shfaq pranë portës së Finlandës dhe provoi një goditje të rrezikshme, por portieri Jantunen arriti ta bllokonte duke shpëtuar skuadrën e tij nga një gol i sigurt.

Finlanda reagoi menjëherë dhe filloi të krijojë mundësi nga e majta dhe e djathta e sulmit, duke provuar me Talvitien dhe Ruoppin, por Seji në portën e Kosovës tregoi refleks të shpejtë dhe priti secilën goditje të rrezikshme, përfshirë tentativën e minutës së 45-të.

Në pjesën e dytë, Finlanda vazhdoi të kërcënonte, duke përdorur mjaft lëvizje në mesfushë dhe krosime nga krahët.

Talvitie, Siltanen dhe Miettinen u munduan disa herë, por asnjë goditje nuk gjeti rrjetën, falë pritjeve të shkëlqyera të Sejit.

Kosova nga ana e saj nuk mbeti pas; Bujupi dhe Shala shfrytëzuan hapësirat për kundërsulme të shpejta dhe krijuan momente të rrezikshme për portën finlandeze, por Jantunen qëndroi i qetë dhe nuk lejoi ndonjë gol.

Ndeshja ishte e balancuar, me Finlandën që kishte më shumë posedim dhe kontrollonte ritmin e lojës, ndërsa Kosova mbrohej mirë dhe kërkonte të surprizonte me kundërsulme.

Tensioni dhe energjia e lartë e të dyja skuadrave u ndie gjatë gjithë 90 minutave, por rezultati mbeti i paprekur.