“Shpresojmë të shkruajmë histori”, Vedat Muriqi flet për formën dhe rezultatet e Kosovës

“Shpresojmë të shkruajmë histori”, Vedat Muriqi flet për formën dhe rezultatet e Kosovës

Sport November 18, 2025 - 23:45

Kombëtarja e Kosovës ka luajtur baras me rezultat 1-1 në shtëpi ndaj Zvicrës në ndeshjen e fundit të ciklit kualifikues për Kupën e Botës 2026.

Pas përfundimit të ndeshjes foli edhe sulmuesi Vedat Muriqi, i cili u shpreh shumë i lumtur për paraqitjet e Kosovës në këtë cikël kualifikues.

Ai tha se humbja e thellë që pësuan ndaj Zvicrës në ndeshjen e parë, ishte ajo që bëri që futbollistët e Kosovës të marrin kthesën.

“Ishte një ndeshje e vështirë. Sot prej mëngjesit shiu nuk është ndalur. Dua të falënderoj në emër të ekipit tifozët. Stadiumi ishte plot. I falënderoj tifozët që na kanë përkrahur gjithë kohën. I urojmë edhe ata për plejofin. Për ne ishte e rëndësishme të mbajmë rezultatet pozitive”.

“Jemi të lumtur dhe tani e presim marsin. Humbja e thellë në Zvicër na kthjelli. Më pas e ndërruam edhe taktikën dhe mentalitetin. Ekipi e pa qartë që nëse vazhdojmë kështu mund të arrijmë sukses kundër çdo ekipi”.

“Vendi i dytë dhe plejofi është sukses historik dhe shumë i madh, shpresoj të mos ndalemi këtu. Urojmë të mos kemi lëndime në katër muajt e ardhshëm. Mezi e presim marsin dhe shpresojmë të shkruajmë tutje histori”.

“Jam shumë i lumtur për Fisnik Asllanin e Albion Rrahmanin. Unë u dëshiroj shumë suksese. Po e përsëris, ata dy do të bëjnë që të harrohet emri im, me paraqitje, me gola”, ka deklaruar Muriqi.