“Ne jemi një”, Albian Hajdari i del në mbrojtje Xhakës pas vërshëllimave të tifozëve
Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Albian Hajdari, i ka dhënë përkrahje Granit Xhakës, pas pritjes jo edhe aq të mirë në ndeshjen e mbrëmshme.
Kosova mbylli kualifikueset me një barazim 1-1 në Prishtinë ndaj Zvicrës në ndeshjen e luajtur nën shiun e rreptë të martën mbrëma.
Këto kualifikuese ishin historike për Kosovën, pasi arritën ta mbyllin në vendin e dytë, duke siguruar një vend në play-off.
Megjithatë, ylli shqiptar, i cili mban fanellën e Zvicrës, Xhaka, nuk u prit edhe aq ngrohtë nga një grup i tifozëve në stadium, të cilët vendosen ta vërshëllejnë pas çdo prekjeje të topit.

E gjithë kjo vjen pas disa deklaratave të mesfushorit të Sunderland kundrejt Albian Hajdarit dhe Leon Avdullahut, të cilët lanë fanellën e Zvicrës për të përfaqësuar Kosovën.
Por, ishte pikërisht Hajdari, i cili i doli në mbrojtje pas ndeshjes, duke postuar një fotografi së bashku me Xhakën dhe Avdullahun, me një mbishkrim: “Ne jemi një”.

Kjo fotografi u shpërnda edhe nga Avdullahu, duke treguar që edhe mesfushori e përkrah dhe nuk iu ka mbetur aspak hatëri nga deklaratat e bëra.
Fotografia u rishpërnda edhe nga vetë Xhaka.
