Silvinjo për shortin e play-off-it: Polonia kundërshtare e fortë, por e njohim dhe na njeh mirë

Silvinjo për shortin e play-off-it: Polonia kundërshtare e fortë, por e njohim dhe na njeh mirë

Sport November 21, 2025 - 10:05

Kombëtarja shqiptare njohu dje (e enjte) kundërshtarin e fazës play-off në shortin e hedhur në selinë e UEFA-s në Cyrih. Polonia është ekipi kundërshtar i fazës gjysmëfinale dhe në rast fitoreje do të ndeshemi në finale ndaj ekipit fitues të çiftit Ukrainë - Suedi.

Trajneri Silvinjo foli për fshf.org dhe komentoi shortin e Shqipërisë, transmeton “Zëri”. Ai u shpreh se Polonia është një kundërshtare e fortë, por që e njohim dhe na njeh mirë.

Polonia? – Fillimisht, e kemi merituar shumë që të jemi këtu edhe një herë tjetër. Tani luhet futboll. Po flisja me shumë të tjerë, italianë dhe përfaqësues të tjerë. Në futboll, për 90 minuta mund të ndodhë çdo gjë. E njohim mirë skuadrën kundërshtare, por edhe ata na njohin mirë gjithashtu. Luhet futboll, përgatitet ndeshja dhe ecim përpara.

Finalja e mundshme, ndaj Ukrainës ose Suedisë? – Janë të gjitha skuadra të forta, Polonia fillimisht, por edhe nga ana tjetër dy kundërshtarë të fortë. Ukrainën e njohim tashmë nga Nations League, ndërsa ndaj Suedisë kemi zhvilluar një miqësore. Janë skuadra të forta, me lojtarë të fortë. Janë katër skuadra shumë të forta.