Arne Slot flet për të ardhmen e tij te Liverpooli mes formës së tmerrshme të klubit
Liverpooli po kalon një krizë të thellë dhe trajneri Arne Slot ka folur hapur për të ardhmen e tij pas një takimi me pronarët e klubit.
Forma e ekipit është katastrofike dhe humbja e radhës në Ligën e Kampionëve ndaj PSV-së të mërkurën e ka shtuar edhe më shumë presionin mbi trajnerin holandez.
Skuadra e Slot ka humbur nëntë nga 12 ndeshjet e fundit, një seri dramatike që e ka zhytur Liverpoolin në periudhën më të keqe të tij në mbi 70 vite.
Duke folur para gazetarëve të enjten, përpara ndeshjes kundër West Ham, Slot u përball me pyetje të shumta mbi sigurinë e tij në punë dhe mundësinë e një shkarkimi të afërt.
Ai u përpoq të qetësonte situatën, duke theksuar se komunikimi me drejtuesit mbetet i njëjtë.
"Kemi pasur të njëjtat biseda që kur kam ardhur. Luftojmë. Provojmë të përmirësohemi, por bisedat kanë qenë të njëjta për një vit e gjysmë".
"Është normale të reflektosh mbi vendimet pas një ndeshjeje. Ndoshta e bëni pak më shumë kur humbni".
"Në fund të ditës, bëhet fjalë për atë që përfaqëson ky klub: të luftosh, pavarësisht sa e vështirë është. Do të ishte mirë të shpërbleheshim në momentet kur luajmë mirë".
Duke iu përgjigjur kritikëve, Slot tha se ekipi ka pasur momente të mira që nuk po vihen re.
"Njerëzit fokusohen te pjesët ku nuk luajmë mirë, por ka shumë momente kur luajmë shumë mirë”, përfundoi ai.