Varane rikthehet në kohë: Te Real Madrid isha në depresion
Raphael Varane është rikthyer në kohë, te periudha e Real Madridit.
Ish-futbollisti i Los Blancos rrëfeu se pati një kohë të vështirë kur mbërriti në klub.
“Te Real Madrid isha i bllokuar në vetmi, në një depresion, nuk po shijoja asgjë, ndihesha sikur gjithçka po shkatërrohej, se ëndrra ime po shuhej”, u shpreh ai.
Varane kaloi jo më pak se 10 sezone me Real Madridin, që nga kur mbërriti në moshën 18 vjeç nga Lens deri sa u largua për në Manchester United. Ai përfundimisht u tërhoq sezonin e kaluar në Como.
Qendërmbrojtësi francez rrëfeu në një intervistë me “Le Monde” problemet psikologjike që kishte kur mbërriti në klub. “Pasi mbërrita në Real Madrid, pata problemet e mia të para. Isha 18 vjeç dhe nuk kisha pasur një adoleshencë normale. Isha vetëm, duke u stërvitur gjatë gjithë kohës dhe mezi luaja. Ndjehesha sikur ëndrra ime po shuhej. Në fushë, isha plotësisht i përqendruar. Por më pas, nuk doja të shkoja në shtëpi. Ishte një depresion. Nuk po shijoja më asgjë”, shpjegoi ai.
Ai shtoi, “Për mua, ky ishte çmimi që duhej paguar. Mendova se duhej të kaloje nëpër këtë për të pasur sukses. Po filloja karrierën time dhe po i bëja vetes një mijë pyetje: ‘A mora vendimin e duhur që erdha këtu? A duhet të largohem? A duhet të flas për këtë?’ Isha i bllokuar në një lloj vetmie, duke ndjerë sikur gjithçka po shkatërrohej”.
Varane kujtoi gjithashtu një tjetër pikë të ulët. “Periudha pas Kupës së Botës 2018 ishte shumë e vështirë. Arrin ëndrrën tënde, je në krye të futbollit botëror dhe pastaj vjen rrëzimi. Mbaj mend që pandemia më ndihmoi të dilja nga ajo gjendje depresive. Isha në gjendje të përpunoja të gjitha ato emocione dhe të rivendosesha. Është paradoksale, sepse ajo periudhë ishte shumë e vështirë për shumë njerëz për sa i përket shëndetit mendor”.
Ai ia atribuoi shumë probleme orarit të ngjeshur. “Orari është një problem i madh. E kuptoj që është një biznes, por po humbasim cilësinë si spektakël. Ose nuk luan 100%, ose luan si robot. Ka më shumë lëndime fizike dhe, natyrisht, ndikimi në shëndetin mendor të lojtarëve është i rëndësishëm. Ishte një nga arsyet e daljes sime në pension. Orari ishte i çmendur. Nuk kisha asnjë pushim që do të më lejonte të rikuperohesha fizikisht ose psikologjikisht”.
Më në fund, ai reflektoi: “Futbolli është pak si shoqëria, me një lloj nxitimi frenetik. Gjithmonë duhet të bësh më shumë, gjithmonë më shpejt. Është jashtëzakonisht stresues. Kemi nevojë për një pushim. Jo sepse nuk duam të luajmë, por për të luajtur më mirë. Ideja nuk është të ikim nga konkurrenca, por të jemi mendërisht në vendin e duhur, sepse nëse vazhdon të shtysh kufijtë, herët a vonë diçka do të prishet”. /Zëri