Shkupi mbyll sezonin vjeshtor me vetëm një pikë

Shkupi mbyll sezonin vjeshtor me vetëm një pikë

Sport December 07, 2025 - 15:37

FC Shkupi po përjeton sezonin më të dobët në historinë e vet, një edicion i errët për klubin emblemë shqiptar që numëron katër tituj kampion, por sot ndodhet në krizën më të thellë që ka përjetuar ndonjëherë, njofton Telegrafi.

Me vetëm një pikë të grumbulluar dhe një formë të rrënuar, skuadra nga Çairi u mposht sërish, kësaj radhe nga Brera Strumica me rezultat 1-3, duke e lënë ekipin praktikisht me një këmbë në Ligën e Dytë.

Ndeshja u luajt në terren neutral në Strugë, aty ku Brera i dha fund serisë negative dhe mori tre pikë të arta. Në pesë ndeshjet e fundit, skuadra nga Strumica kishte katër humbje dhe një barazim, ndaj ky sukses vjen si frymëmarrje për ta para pauzës dimërore.

Brera e siguroi fitoren me dy gola në pjesën e parë dhe një tjetër në të dytën. Emrah Makiq shënoi në minutën e 7-të, Zoran Ivanovski në të 17-tën, ndërsa Mile Todorov vulosi rezultatin 0-3 në minutën e 51-të pas një kundërsulmi. Shkupi shënoi golin e vetëm në fund të takimit me kapitenin Erion Shuku, por pa ndikim në fatin e ndeshjes.

Ndërkohë, sot u zhvillua edhe një ndeshje tjetër në Shkup. Sileksi e mbylli vitin me fitore bindëse, duke triumfuar 0-3 në udhëtim te Rabotniçki dhe duke e justifikuar plotësisht rolin e favoritit. Me këto tre pikë, ekipi nga Kratova e mbyllin gjysmësezonin në vendin e katërt me 31 pikë, ndërsa Rabotniçki futet në pauzën dimërore në gjendje alarmante, menjëherë pas Shkupit, me vetëm 7 pikë në tabelë. Kampionati i Maqedonisë do të vazhdojë në muajin shkurt.