Amir Rrahmani kundër Edon Zhegrovës në derbin italian

Amir Rrahmani kundër Edon Zhegrovës në derbin italian

Sport December 07, 2025 - 18:09

Kapiteni i Kosovës Amir Rrahmani sonte (e diele) do ta zhvillojë përballjen me sulmuesin Edon Zhegrova në Serie A.

Napoli është nikoqir i Juventusit, deri italian i vlefshëm për xhiron e 14-të të kampionatit italian.

Rrahmani si zakonisht është i padiskutueshëm në formacionin bazë të Napolit, andaj edhe pritet të luajë sërish nga minuta e parë, me “Napolitanët” që kërkojnë vetëm fitore për ta vazhduar garën për titull.

Ndërkohë, te Juventusi – Zhegrova pritet që sërish ta nisë nga stoli edhe pse dha sinjale pozitive në ndeshjen e fundit kur hyri nga banka, e shumë tifozë italianë po kërkojnë që të ketë vend në 11-shen startuese.

Zhegrova ndër të tjera thuhet se është kthyer 100 për qind nga lëndimi, kësisoj mbetet të shihet nëse Luciano Spalletti do t’ia japë shansin për ta dëshmuar kualitetin nga fillimi.

Përballja e zjarrtë që assesi s’duhet humbur fillon nga ora 20:45 në stadiumin “Diego Maradona”.

Kujtojmë, Napoli renditet në pozitën e tretë në Serie A me 28 pikë derisa Juventusi në vendin e shtatë me 23 sosh.