Osmani viziton Dritën e Gjilanit, përgëzon klubin për sukseset evropiane
Foto: Facebook

Osmani viziton Dritën e Gjilanit, përgëzon klubin për sukseset evropiane

Sport December 08, 2025 - 15:30

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një vizitë në Gjilan, të cilën e ka cilësuar si një ditë të mbushur me energji, kreativitet dhe frymëzim.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Osmani ka njoftuar se ka uruar kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni, për mandatin e tij të dytë, me të cilin ka bashkëbiseduar për projektet që synojnë të sjellin më shumë zhvillim dhe mundësi të reja për qytetin.

“Urova kryetarin Alban Hyseni për mandatin e tij të dytë dhe bashkëbiseduam për projektet që do t’i japin qytetit më shumë zhvillim dhe mundësi të reja.

Së bashku kaluam çaste të paharrueshme në Shkollën e Muzikës dhe të Arteve Pamore, me disa performanca frymëzuese nga kori i grave ‘Muza’, si dhe në mesin e më të vegjëlve e më të ëmbëlve, në kopshtin IP ‘Integj’”, shkroi e para e shtetit.

Osmani ka vizituar po ashtu kompaninë “InterPLAST TROCAL”, ku në kuadër të vizitës ajo u ndal edhe në klubin e futbollit “Drita”, të cilin e përgëzoi për arritjet në garat vendore dhe ato evropiane, duke theksuar se po e përfaqëson Kosovën me dinjitet.

“Po ashtu dëgjuam për sukseset e kompanisë “InterPLAST TROCAL”, si lidere në rajon dhe një shembull i shkëlqyer i punës së mirë, inovacionit dhe vizionit që e çojnë shtetin tonë përpara. Vizituam edhe klubin e futbollit ‘Drita’, të cilët i përgëzova për rezultatet në nivel shtetëror, e posaçërisht në garat evropiane, në të cilat po na bëjnë krenarë të gjithëve. Faleminderit Gjilan!”, shkroi Osmani.