Zbulohet arsyeja pse Lewandowski nuk luajti fare ndaj Osasunas
Barcelona arriti fitoren e shtatë radhazi në La Liga ndaj Osasunës, por e bëri këtë pa u mbështetur te Robert Lewandowski.
Për ndeshjen e dytë radhazi në kampionat, Hansi Flick nuk i dha asnjë minutë sulmuesit veteran, ndërsa Ferran Torres luajti të gjitha 90 minutat në “Spotify Camp Nou”.
Fundjavën e kaluar ndaj Real Betis ishte një vendim taktik nga Flick, por pavarësisht kritikave ndaj Lewandowskit pas fitores së Barcelonës kundër Eintracht Frankfurtit në mesjavë, të shtunën situata ishte ndryshe.
Sipas raportimit të “Catalunya Radio” (përmes “Sport”), reprezentuesi polak nuk u rrezikua pasi kishte ndjerë shqetësime në muskujt e kofshës në ditët e fundit.
“Polaku nuk pati minuta kundër Osasunës për shkak të problemeve me kofshën. Në rast urgjence ai mund të kishte luajtur 15 minuta, por me golin e parë të Barçës u vendos që të mos rrezikohej”, thuhet në raportim.
Po ashtu raportohet se Flick nuk planifikon ta rrezikojë Lewandowskin as për ndeshjen e së martës në Kupën e Mbretit ndaj Guadalajaras, megjithëse vendimi përfundimtar do të merret nga vetë lojtari, i cili do të vlerësojë gjendjen e tij fizike në prag të sfidës.
Ka qenë një sezon i vështirë deri tani për Lewandowskin, i cili është zëvendësuar si sulmues titullar i Barcelonës nga Ferran.
Ndeshja kundër Osasunës ishte gjithashtu e pesta që ai e humbi për shkak dëmtimi, gjë që nuk premton mirë për shanset e tij për të siguruar një kontratë të re përpara se marrëveshja aktuale të skadojë verën e ardhshme.
Barcelona ka nisur tashmë përgatitjet për afrimin e një sulmuesi të ri, teksa përgatitet për jetën pas Lewandowskit.
Julian Alvarez dhe Karl Etta Eyong raportohen si objektiva, ndërsa një lojtar që nuk do të transferohet në Katalonjë verën e ardhshme është ylli dardan Fisnik Asllani, i cili nuk konsiderohet një opsion serioz për kryesuesit e La Ligas, raportojnë mediat spanjolle.