Theo Hernandez insiston se nuk dëshironte që të largohej nga Milani verën e kaluar
Theo Hernandez insiston se nuk ka dashur të largohet nga Milan verën e kaluar, ndërsa Giorgio Furlani “nuk u paraqit” kur ai u ribashkua me ish-shokët e tij për Superkupën Italiane në Riad pak ditë më parë.
Ish-mbrojtësi i Milanit ndjen se meritonte më shumë respekt nga “Rossonerët” verën e kaluar, kur klubi vendosi ta shesë tek Al-Hilal i Arabisë Saudite.
Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, Theo tha: “Meritoja një trajtim më të mirë. Nuk e prisja. Disa shokë skuadre më inkurajuan të qëndroja, por kur një ekzekutiv të thërret dhe të thotë: ‘Nëse qëndron, do të të izolojmë,’ çfarë mund të bësh? Thjesht shikon diku tjetër”.
Francezi insistoi se kurrë nuk kishte dashur të largohej nga Milan, se “prioriteti ishte të qëndroja” dhe se kurrë nuk kishte refuzuar një transferim te Como në janar: “Agjenti im kurrë nuk e përmendi këtë për mua. Thanë që kisha kërkuar shifra të çmendura për rinovim, se po shtyja për një transferim. Të gjitha gënjeshtra”.
Theo u ribashkua me Milanin në Riad pak ditë më parë gjatë pjesëmarrjes së ekipit në Superkupën Italiane.
Ai tha se takoi “Allegrin, Taren dhe Ibran,” por “Furlani nuk u paraqit.”
“Nuk mund të përqafoja të gjithë siç do të doja. Më vjen keq që humbën kundër Napolit,” shtoi ai.
“I thashë ‘punë të mbarë’ Bartesaghit, që e meriton gjithçka, dhe përqafoja Modricin me të cilin kam luajtur në Madrid. Ai është një gjeni, në një nivel tjetër”, tha ai.
Marrëdhënia midis Theos dhe Milanit filloi të degradojë kur Paolo Maldini u shkarkua më 2023.
“Kur mbërrita, ishin Massara, Boban dhe idhulli im Maldini. Ibra është një figurë kryesore, por pas largimit të Paolos, gjithçka ndryshoi për keq,” tha mbrojtësi.
Kur Maldini iku, “u ndjeva i humbur,” shtoi ai.
“Sezonin e kaluar, Calabria dhe unë shkuam te Milanello me fanellën e Paolos, dhe disa njerëz nuk e pëlqyen këtë. Ata shkatërruan një legjendë për asgjë. Përveç Ibras, ndjen mungesën e ‘Milanismos’. Kam bërë gabime, si kartonë të kuq kundër Fiorentinës ose Feyenoord, por jemi njerëz. Nuk isha mendërisht në rregull dhe mund të kisha bërë më mirë, por tifozët e dinë se kush ishte Theo te Milan”, tha ai tutje.
Theo paralajmëroi se një tjetër yll, Mike Maignan, mund të largohet nga Milan në muajt e ardhshëm pasi kontrata e portierit skadon në qershor: “Ka një situatë të ngjashme me timen dhe nuk përfundoi mirë.”
Pavarësisht dëshirës për të qëndruar te Milan sezonin e kaluar, Theo është i lumtur me klubin e ri dhe trajnerin Simone Inzaghi.
“Është e mrekullueshme. Ishte zgjedhja më e mirë. E vetmja gjë negative është trafiku. I tmerrshëm,” tha mbrojtësi.
“Inzaghi më tha: ‘Të shkojmë dhe fitojmë bashkë?’ E di që e quajtën ‘demon’ tek Interi. Në fushë është një person, por jashtë është një tjetër. Një zotëri. Ndonjëherë bën shaka për faktin që sezonin e kaluar e bëra të humbë Superkupën këtu në Riad, por anëtarët e stafit të tij më kujtojnë edhe për derbit apo duelët me Dumfries”, përfundoi ai.