Cavani i jep fund karrierës së tij të shkëlqyer, El Matador tërhiqet nga futbolli

Cavani i jep fund karrierës së tij të shkëlqyer, El Matador tërhiqet nga futbolli

Sport December 29, 2025 - 09:06

Futbollisti legjendar uruguaian, Edinson Cavani, i ka dhënë fund karrierës së tij të shkëlqyer në moshën 38-vjeçare.

Cavani njoftoi tërheqjen nga futbolli gjatë pushimit të kampionatit argjentinas, i cili zgjat nga 7 dhjetori deri në fund të janarit.

Golashënuesi uruguaian u përcoll me një mesazh prekës drejtuar futbollit.

“Më ke formuar, më ke sfiduar, më ke mësuar të ngrihem gjithmonë kur rrëzohem dhe të vlerësoj çdo hap gjatë rrugës. Më ke lejuar të arrij ëndrra që më dukeshin të pamundura si fëmijë dhe të takoj njerëz të jashtëzakonshëm, si në fushë ashtu edhe jashtë saj".

Image

"Asgjë nga kjo nuk do të kishte qenë e mundur pa familjen, miqtë, shokët e ekipit, trajnerët dhe, mbi të gjitha, njerëzit e mi. Dashurinë e tifozëve në çdo vend dhe në çdo klub do ta mbaj me vete përgjithmonë".

“Po largohem në paqe, i qetë duke e ditur se dhashë gjithçka në çdo seancë stërvitore dhe në çdo ndeshje. Me gabime dhe suksese, por gjithmonë me respekt për këtë profesion që më ka dhënë kaq shumë", shkroi Cavani në letrën e tij të lamtumirës.

Image

“El Matador”, siç njihet Cavani, ka veshur fanellën e Boca Juniors në dy vitet e gjysmë të fundit, ndërsa më parë fitoi famë me PSG, Napoli, Palermo dhe Manchester United.

Ai luajti 301 ndeshje për PSG-në dhe shënoi 200 gola, ndërsa me Napolin realizoi 104 gola në 138 paraqitje.

Me kombëtaren e Uruguait, Cavani regjistroi 136 paraqitje dhe shënoi 58 gola. /Telegrafi