“Zeppetta”, nofka që e bën të veçantë Zhegrovën në futbollin modern

“Zeppetta”, nofka që e bën të veçantë Zhegrovën në futbollin modern

Sport December 29, 2025 - 16:24

Askush deri më tani nuk e kishte emërtuar saktë stilin e lojës që e bën Edon Zhegrovën kaq të veçantë në botën e futbollit.

Sipas prestigjiozes italiane “La Gazzetta dello Sport”, gjithçka lidhet me mënyrën unike se si reprezentuesi i Kosovës e prek dhe e kontrollon topin.

Zhegrova njihet për teknikën e tij jashtëzakonisht të lartë, veçanërisht në situatat një kundër një, ku driblimet e shpejta dhe të paparashikueshme e bëjnë një kërcënim konstant për mbrojtjet kundërshtare.

Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, i ka vendosur një nofkë të veçantë Zhegrovës, e cila përmbledh stilin e tij të lojës: “Zeppetta”.

“Kam lindur me këtë aftësi”, ka deklaruar Zhegrova pas ndeshjes ndaj Pisas.

“Trajneri më quajti ‘Zeppetta’. E falënderoj”, ka shtuar ai.

Termi “Zeppetta”, edhe pse jo term futbollistik në italisht, lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si Zhegrova driblon, ndalon dhe rifillon lëvizjen me topin, duke e mbajtur gjithmonë nën kontroll të plotë.

Luciano Spalletti e ka cilësuar vazhdimisht Zhegrovën si lojtar vendimtar, duke vlerësuar ndikimin e tij në fazën ofensive dhe aftësinë për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjeve me një veprim individual.

Me stilin e tij unik dhe teknikën e rafinuar, Edon Zhegrova po konfirmohet gjithnjë e më shumë si një nga futbollistët më të veçantë shqiptarë në arenën ndërkombëtare./rtk