Ish-lojtari i Milanit diagnostifikohet me paralizë të fytyrës

Ish-lojtari i Milanit diagnostifikohet me paralizë të fytyrës

Sport December 30, 2025 - 18:45

Sulmuesi i krahut të Rayados de Monterrey, Lucas Ocampos, do të mungojë për të paktën dy javë pasi është diagnostikuar me paralizë faciale në anën e majtë të fytyrës, që besohet të ketë origjinë virale.

Argjentinasi, një lojtar kyç në sulmin e klubit, do të humbasë ndeshjen hapëse kundër Toluca më 11 janar dhe duhet të qëndrojë në pushim të plotë shtrirë në shtrat si pjesë e trajtimit të tij.

Në një deklaratë zyrtare, Monterrey njoftoi: “Lojtari Lucas Ocampos është diagnostifikuar me paralizë faciale në anën e majtë të fytyrës, që besohet të jetë me origjinë virale. Lojtari u vlerësua nga një specialist për të përcaktuar trajtimin e duhur”.

Klubi shtoi se Ocampos do të qëndrojë në pushim për shtatë ditë, pas së cilës do të vlerësohet përparimi i tij për të vendosur se kur mund të rikthehet në stërvitjen e grupit gjatë përgatitjeve parasezonale.

Ky problem shëndetësor është pjesë e një periudhe të vështirë për 31-vjeçarin që kur u bashkua me Monterrey nga Sevilla në vitin 2024, e karakterizuar nga disa lëndime të pazakonta.

Së fundmi, vetëm disa muaj më parë, ai pësoi një frakturë të dorës dhe trauma faciale gjatë një aksidenti të çuditshëm, ndërsa ndihmonte njërën nga vajzat e tij për të kalëruar.

Image