Donnarumma e shtyn dasmën e tij, shkak Kupa e Botës
Agjenti i Gianluigi Donnarumma zbuloi se portieri i Italisë e shtyu dasmën e tij për Kupën e Botës, ndërsa gjatë verës së sivjetme u lidh me Erling Haalandin dhe Pep Guardiolan te Manchester City.
Azzurrët nuk kanë arritur të kualifikohen për dy edicionet e fundit të Kupës së Botës dhe ende nuk janë të sigurt nëse do të marrin pjesë në turneun e vitit 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Ata do të duhet të kalojnë nëpër fazën eliminatore, duke u përballur me Irlandën e Veriut dhe më pas me Uellsin ose Bosnjën dhe Hercegovinën në mars, por Donnarumma ka besim se ata do të jenë atje në verë.
“Ai donte të martohej këtë verë, por e ka shtyrë gjithçka sepse së pari janë angazhimet ndërkombëtare me Italinë”, tha agjenti Enzo Raiola për Radio Sportiva në Itali, transmeton Klankosova.tv.
“Ai interesohet shumë për Kupën e Botës, kërkoi të mbetet i përqendruar dhe po përqendrohet vetëm te klubi i tij dhe Italia, sepse dëshiron të shkojë në atë turne me gjithë zemër”, shtoi Raiola.