"Kishe ofertë nga Lyoni" - Rosicky nuk e përjashton shitjen e Rrahmanit nga Sparta
Drejtori sportiv i Sparta Pragës, Tomas Rosicky, ka dhënë një vlerësim të qartë për sulmuesin e Kombëtares së Kosovës, Albion Rrahmani, duke e përshkruar si një lojtar shumë fleksibël dhe me aftësi për të luajtur në disa pozita sulmuese.
Megjithatë, ai ka lënë të hapur mundësinë e një shitjeje të Rrahmanit gjatë këtij afati kalimtar, duke treguar se klubi nuk do të kishte asgjë kundër largimit të tij nëse shfaqet një ofertë e mirë.
“Nuk ka kurrë problem të kesh tre sulmues cilësorë. Albioni mund të përdoret në më shumë pozicione, dhe ne mund të shkojmë në pranverë me ta kështu. Nuk do të zemërohem nëse të gjithë qëndrojnë, por gjithashtu mund të humbasim një prej tyre,” theksoi Rosicky të mërkurën gjatë një konference për media.
Ai gjithashtu rikujtoi interesin e mëparshëm për Rrahmanin nga gjiganti francez, Lyon, dhe pret një ofertë të tillë edhe tani.
“E dini që sezonin e kaluar Albioni pati një ofertë shumë interesante nga Lyon, gjë që mund të ndodhë edhe tani”, deklaroi legjenda çeke e futbollit.
Rrahmani, 25-vjeçar, po kalon një sezon të fortë me Sparta Pragën. Ai ka shënuar 12 gola dhe ka kontribuar me dy asistime në 32 ndeshje në të gjitha garat, duke treguar konsistencë dhe aftësi për të bërë diferencën në sulm.
Forma e tij ka tërhequr vëmendjen e klubeve evropiane dhe e vendos atë në qendër të bisedimeve gjatë afatit të janarit.