Reagon Ministria e Kulturës: Bekë Berisha nuk mund të jetë kryetar i KB Sigal Prishtinës
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka reaguar zyrtarisht lidhur me zgjedhjen e Bekë Berishës në një pozitë udhëheqëse në KB “Sigal Prishtina”, vendim i marrë në Kuvendin e klubit më 14 janar 2026.
MKRS-ja ka bërë të ditur se është njoftuar për këtë zhvillim dhe ka rikujtuar se Berisha është deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, çka e bën rastin të ndërlidhur drejtpërdrejt me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.
Sipas Ministrisë, Ligji Nr. 06/L-011 lejon që zyrtarët e lartë publikë të jenë anëtarë të organeve drejtuese të organizatave joqeveritare sportive, por ndalon ushtrimin e funksioneve menaxhuese, përfaqësuese apo mbikëqyrëse në persona juridikë privatë fitimprurës, si dhe bartjen e funksioneve drejtuese. Po ashtu, ligji obligon që çdo situatë e konfliktit të interesit të parandalohet ose të zgjidhet brenda 30 ditësh nga marrja e detyrës.
Në këtë kontekst, MKRS-ja ka kërkuar nga të gjitha palët e përfshira që të veprojnë në përputhje me ligjin dhe që Bekë Berisha, pas betimit dhe marrjes së mandatit të deputetit, të ndërmarrë masat e nevojshme brenda afateve ligjore për të shmangur çdo konflikt të mundshëm interesi.
Ministria ka theksuar se do ta përcjellë nga afër situatën dhe do të bashkëpunojë me institucionet relevante, përfshirë Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, me qëllim të ruajtjes së integritetit në sport dhe respektimit të standardeve të qeverisjes së mirë.
Gjithashtu, MKRS-ja ka paralajmëruar se përmes kanaleve zyrtare do t’i drejtohet Federatës së Basketbollit të Kosovës, duke kërkuar që, në përputhje me Ligjin për Sport dhe aktet nënligjore përkatëse, të sigurohet se në procesin e zgjedhjes së organeve drejtuese të KB “Sigal Prishtina” janë respektuar parimet e papajtueshmërisë së ndikimeve politike në menaxhimin e organizatave sportive dhe garantimi i integritetit ligjor sportiv.
Sipas kësaj Ministrie, respektimi i këtyre parimeve është kusht i domosdoshëm për ushtrimin zyrtar të veprimtarisë sportive dhe funksionimin e rregullt të organizatave të basketbollit në Republikën e Kosovës.