Ministria paralajmëron FFK-në: Kuvendi zgjedhor më 5 shkurt, në rrezik
Foto: Laura Hasani

Ministria paralajmëron FFK-në: Kuvendi zgjedhor më 5 shkurt, në rrezik

Sport January 16, 2026 - 14:54

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ia ka dërguar një shkresë zyrtare Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të cilën e ka siguruar TV Dukagjini nga burime brenda FFK-së, ku ngre shqetësime serioze lidhur me mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor të paralajmëruar për 5 shkurt, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për harmonizimin e Statutit dhe përfundimin e procesit të licencimit.

Sipas MKRS-së, FFK-ja ende nuk i ka përmbushur obligimet e dala nga procesi i licencimit të vitit 2023, të dakorduara me UEFA-n, FIFA-n dhe vetë Ministrinë, duke përfshirë harmonizimin e Statutit me Ligjin për sport dhe rregulloret përkatëse.

Në shkresë theksohet se ende nuk ka përfunduar licencimi për shtatë (7) lidhje rajonale dhe për shoqatat profesionale, çka bie ndesh me ligjin dhe udhëzimet administrative në fuqi.

Ministria vë në pikëpyetje edhe përbërjen dhe legjitimitetin e Kuvendit Zgjedhor, duke rikujtuar se të drejtë vote kanë vetëm anëtarët e licencuar, si dhe duke theksuar se disa praktika zgjedhore të deritanishme nuk janë në përputhje me kërkesat e UEFA-s dhe FIFA-s.

MKRS-ja kërkon që para mbajtjes së Kuvendit, FFK-ja të harmonizojë Statutin, të përfundojë procesin e licencimit dhe të konsultojë draftet me Agjencinë e Sportit.