Zyrtare: Ardit Tahiri transferohet në Ukrainë
Ardit Tahiri është transferuar në Ukrainë.
Lajmin e ka konfirmuar Llapi, përmes një komunikate në rrjetet sociale.
Sipas njoftimit nga klubi, lojtari i është bashkuar klubit Kolos Kovalivka, derisa në marrëveshjen e palëve Llapi do të mbajë 25% të kartonit të lojtarit. /Zëri
Njoftimi i plotë nga Llapi:
KF Llapi njofton opinionin publik dhe tifozët se ka arritur marrëveshje me klubin Kolos Kovalivka për transferimin e futbollistit Ardit Tahiri.
Marrëveshja e arritur mes dy klubeve është e favorshme për KF Llapi edhe në aspektin financiar, ndërsa klubi ynë do të mbajë 25% të kartonit të lojtarit, si pjesë e marrëveshjes për një transferim të ardhshëm të mundshëm.
Ardit Tahiri ka qenë një nga futbollistët më të rëndësishëm të ekipit tonë në Superligën e Kosovës, duke u renditur në top 10-shen e golashënuesve më të mirë në historinë e klubit në elitë. Gjatë paraqitjeve të tij me fanellën bardhekaltër, Tahiri ka zhvilluar 44 ndeshje zyrtare, në të cilat ka realizuar 19 gola dhe ka kontribuuar me 4 asistime.
Në pjesën vjeshtore të sezonit aktual, futbollisti ishte i huazuar te klubi HJK Helsinki, ku fitoi përvojë të rëndësishme ndërkombëtare.
KF Llapi e falënderon Ardit Tahirin për kontributin, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë kohës sa ishte pjesë e klubit dhe i uron shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij profesionale.