Bylbyl Sokoli sqaron: S’jam duke bërë asnjë shkelje ligjore
Trajneri i futbollit, Bylbyl Sokoli, është deklaruar rreth pretendimeve se mund të ketë konflikt interesi rreth angazhimit të tij në futboll, pasi që është përzgjedhur edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, shkruan Zeri.info.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Sokoli ka sqaruar se kjo nuk është aspak konflikt i interesit dhe se një gjë të tillë e ka konstatuar Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK).
“Me rastin e marrjes së mandatit si deputet, kam shqyrtuar me kujdes bazën ligjore dhe jam mbështetur në opinionin e APK-së, sipas të cilit vetëm funksionet drejtuese dhe menaxhuese në organizata sportive janë të papajtueshme me pozitën e deputetit. Funksioni i trajnerit është funksion profesional dhe i rregulluar me Ligjin për Sport, nuk është pozitë drejtuese dhe as menaxhuese në klub, rrjedhimisht nuk përbën konflikt interesi”, ka theksuar Sokoli.
Reagimi i plotë i Sokolit, pa ndërhyrje:
Sqarim për opinionin publik
As Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) dhe asnjë institucion tjetër kompetent nuk ka konstatuar ndonjëherë konflikt interesi në angazhimin tim si trajner.
Pas angazhimit tim në politikë, janë publikuar pretendime të pavërteta, duke aluduar se angazhimi im si deputet dhe trajner futbolli përbën konflikt interesi. Këto pretendime janë të pasakta.
Me rastin e marrjes së mandatit si deputet, kam shqyrtuar me kujdes bazën ligjore dhe jam mbështetur në opinionin e APK-së, sipas të cilit vetëm funksionet drejtuese dhe menaxhuese në organizata sportive janë të papajtueshme me pozitën e deputetit. Funksioni i trajnerit është funksion profesional dhe i rregulluar me Ligjin për Sport, nuk është pozitë drejtuese dhe as menaxhuese në klub, rrjedhimisht nuk përbën konflikt interesi.
Angazhimi im me Klubin Futbollistik “Drenica” i cili klub e ka statusin e SHPK-së, ka qenë angazhim i kufizuar vetëm në detyrën e trajnerit dhe në përputhje të plotë me ligjin dhe dispozitat në fuqi në Republikën e Kosovës.
Dezinformatat dhe keqinterpretimet nuk i shërbejnë as sportit dhe as opinionit publik. /Zëri