Barcelona e rivalizon Man Utd për talentin e Levantes
Sulmuesi i Levantes dhe Kamerunit, Karl Etta Eyong, ishte një nga zbulimet e fazës së hershme të këtij sezoni në La Liga, pas një starti shumë të shpejtë. Pavarësisht se u transferua te Levante vetëm në fund të muajit gusht, Etta Eyong ka rënë në syrin e disa klubeve të mëdha.
Mes tyre është edhe Barcelona, e cila e kishte konsideruar një lëvizje për të gjatë verës, si një opsion me kosto të ulët. Për shkak të problemeve me kufirin e pagave, “Blaugranat” vendosën të mos avancojnë për 22-vjeçarin si alternativë në repartin ofensiv, por lidhjet me të kanë vazhduar edhe më pas. Sipas raportimeve, Barcelona kishte dërguar skautë në Kupën e Kombeve të Afrikës për të vëzhguar paraqitjet e tij me “Luanët e Pamposhtur”.
Megjithatë, Barcelona duket se po largohet nga ideja e një transferimi të tij këtë verë. Prioriteti i klubit katalanas është tani një përforcim i madh në sulm, e jo një lojtar që mund të zhvillohet gradualisht në rolin e sulmuesit kryesor për të zëvendësuar Robert Lewandowskin. Për këtë arsye, Etta Eyong aktualisht nuk është më në agjendën e Barcelonës.
Fillimisht, Barcelona e shihte Etta Eyong si një blerje të leverdishme, por tashmë ka klube të Premier League që janë të gatshme të ofrojnë pothuajse, ose edhe plotësisht, klauzolën e lirimit prej 30 milionë eurosh.
Kjo bëhet e qartë edhe nga interesimi i klubeve të tjera. Manchester United po ashtu po ndjek nga afër zhvillimin e tij, ndërsa Arsenal është klubi i fundit që ka pyetur për çmimin dhe disponueshmërinë e sulmuesit. Nëse shifra prej 30 milionë eurosh është e mjaftueshme për ta larguar Barcelonën, ajo mund të konsiderohet ende një “bargain” për disa skuadra angleze. Për momentin, Etta Eyong pritet të vazhdojë betejën për mbijetesë me Levanten, ku me shumë gjasë do të udhëheqë repartin ofensiv nën drejtimin e Luis Castros.