Guardiola komenton strategjinë e Mourinhos: Ishte një vendim i zgjuar
Pas ndeshjes kundër Galatasarayt, trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka komentuar edhe kualifikimin e Benficës së drejtuar nga Jose Mourinho në fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve.
Guardiola zbuloi se ai dhe stafi i tij kishin ndjekur minutat e fundit të përballjes mes Benficës dhe Real Madridit, por pa qenë të informuar për llogaritë e plota të kualifikimit.
“Ne pamë minutat e fundit të ndeshjes, ishim të gjithë aty, por nuk e dinim që Benfica kishte nevojë për një gol për t’u kualifikuar”, deklaroi trajneri spanjoll.
Ai shtoi se vendimi i Mourinhos për ta dërguar portierin në sulm i kishte habitur të gjithë në fillim.
“Kjo është arsyeja pse, kur pamë Josen duke e dërguar portierin përpara, të gjithë pyesnim veten pse po e bënte këtë, veçanërisht pasi Real Madridi mund ta kishte barazuar dhe ne do të kishim përfunduar jashtë tetë skuadrave të para”, u shpreh Guardiola.
Në fund, trajneri i Cityt pranoi se strategjia e Mourinhos rezultoi e suksesshme.
“Por ishte një strategji e mirë nga Mourinho për të shënuar atë gol të katërt”, përfundoi Guardiola.