Trajneri i Ballkanit: Kampionati i gjatë, marrim ndeshjet një nga një

Trajneri i Ballkanit: Kampionati i gjatë, marrim ndeshjet një nga një

Sport February 07, 2026 - 13:27

Trajneri i Ballkanit, Mislav Karoglan ka folur para ndeshjes derbi me Gjilanin, e cilat luhet të dielën.

Karoglan ka thënë se kampionati është i gjatë, dhe se do t’i marrin ndeshjet një nga një, pasi Ballkani momentalisht po e kryeson tabelën e klasifikimit në Superligën e Kosovës.

“Ekipi ka punuar mirë. Kemi pasur disa probleme të vogla me lëndime dhe viroza, por në përgjithësi gjithçka ka shkuar mirë dhe jemi të gatshëm të garojmë sërish. Presioni për ne është privilegj. Kampionati është një maratonë dhe e vetmja gjë që ka rëndësi është ndeshja e radhës, asgjë më shumë se kaq. Pritshmëritë janë gjithmonë të njëjta për ne. Të jemi pozitivë, të japim maksimumin ndaj kundërshtarëve të fortë dhe të synojmë fitoren”, ka thënë ai.

Kampionati i Superligës është rikthyer këtë javë me xhiron e 19-të, me tri ndeshjen që po luhen sot, derisa dy të tjera do të luhen nesër.

Ballkani do t’i shkojë Gjilanit, me të cilin është përballur edhe dy herë të tjera më parë këtë sezon.

Dy ndeshjet kishin përfunduar me rezultat të njëjtë, prej 1-1.

Ballkani është i pari në tabelën e Superligës me 33 pikë të tubuara nga 18 ndeshje, teksa ndiqet nga Prishtina, Dukagjini e Drita.