Zbulohen prapaskenat, si dështoi transferimi i Wirtzit te Real Madrid?

Zbulohen prapaskenat, si dështoi transferimi i Wirtzit te Real Madrid?

Sport February 25, 2026 - 10:08

Florian Wirtz ishte një nga emrat më të përfolur gjatë merkatos së verës, me një kalim të mundshëm te Real Madrid. Megjithatë, pavarësisht kontakteve dhe tentativave, marrëveshja nuk u realizua.

Në podkastin “Phrasenmaher” të Bild-it, agjenti i tij Volker Struth zbuloi prapaskenat e negociatave. Ai tregoi se, në kohën kur po shqyrtohej një transferim te Liverpool ose Bayern Munich, kishte kontaktuar drejtpërdrejt me Xabi Alonson.

“I thashë: ‘Duhet ta marrësh djalin nga Leverkuseni me vete te Reali’. Xabi m’u përgjigj: ‘Nuk ke pse të ma thuash mua këtë, duhet t’ia thuash Florentino Perezit’”, rrëfeu Struth.

Image

Mesfushori ofensiv, i cili në atë kohë ishte pjesë e Bayer Leverkusen, u këshillua nga prindërit e tij, ndërsa ruante një partneritet marketingu me agjencinë Sports360 të Struth.

Ky i fundit tentoi të shfrytëzonte marrëdhëniet e afërta me lojtarin dhe familjen e tij për të hapur derën e një transferimi në “Santiago Bernabeu”.

Megjithatë, presidenti Perez nuk e mbështeti idenë. Ai iu përgjigj me kujdes mesazhit të agjentit, duke e referuar te drejtori i përgjithshëm Jose Angel Sanchez.

Sipas raportimeve, Real Madridi nuk ishte në gjendje financiare për ta përballuar operacionin gjatë asaj vere.

Në fund, Wirtz përfundoi te Liverpooli për një shumë që tejkalon 125 milionë euro, duke i dhënë fund një sage transferimi që mund ta kishte çuar në kryeqytetin spanjoll, por që mbeti vetëm një mundësi e parealizuar. /telegrafi