Luis Enrique flet për një përballje të mundshme ndaj Barcelonës
Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, ka vlerësuar një përplasje të mundshme kundër ish-skuadrës së tij në rundin e 16-të të Ligës së Kampionëve, pasi eliminoi Monacon.
Enrique pranoi pasi siguroi kalimin në raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve, se “vuajtëm shumë”. Kampionët evropianë fituan ndeshjen e parë të play-off-it 2-3, por në Parc des Princes hasën më shumë probleme sesa pritej për të vulosur kualifikimin (2-2).
Në shortin e së premtes në Nyon, kundërshtarët e mundshëm të PSG-së janë Barcelona ose Chelsea. “Asnjëra nuk do të jetë e lehtë”, u shpreh Luis Enrique në deklaratat për Movistar Plus.
Lidhur me mundësinë e përballjes përsëri me Barçën, pas kohës së tij si lojtar dhe trajner, ai tha: “Meqenëse nuk varet nga unë, do të përshtatem me çfarëdo që të vijë. Janë dy ekipe të jashtëzakonshme. Barça është shumë e veçantë për mua dhe tashmë po bëhet një klasik për mua, ashtu si Manchester City dhe Real Madrid. Barcelona është një qytet unik dhe klubi është i veçantë. Dhe nëse marrim Chelsean, do të kemi disa gjëra për të punuar”.
Barça dhe PSG-ja janë përballur disa herë me njëra-tjetrën në sezonet e fundit. Përballjet më të fundit kanë favorizuar parisienët, të cilët eliminuan katalanasit në raundin e 16 në 2021 dhe në çerekfinale në 2024, ndërsa tetorin e kaluar ata fituan 4-1 në Montjuic në fazën e ligës. /Zëri