Mbappe, në Paris për trajtim të lëndimit

Mbappe, në Paris për trajtim të lëndimit

Sport March 02, 2026 - 21:44

Ylli i Real Madrid, Kylian Mbappe, ndodhet në Paris për trajtim të një lëndimi në gju, por aktualisht nuk është planifikuar ndërhyrje kirurgjikale.

Sipas njoftimit të klubit madrilen, kapiteni i Francës do ta ndjekë një trajtim pa operacion.

“Pas ekzaminimeve të kryera nga mjekë specialistë francezë, nën mbikëqyrjen e shërbimeve mjekësore të Real Madrid, është konfirmuar lëndimi dhe aktualisht gjendja po ndiqet”, thuhet në deklaratën e klubit.

Mbappe ka pasur probleme me ligamentin e gjurit që nga fundi i vitit 2025 dhe ka munguar në ndeshjen e kthimit të “play-off” të Champions League kundër Benfica për shkak të dhimbjeve të vazhdueshme.

Trajneri i Real Madrid, Alvaro Arbeloa, ka theksuar se rikthimi i tij nuk do të ndodhë brenda pak ditësh. “Mendojmë se më e mira është të ndalet, të rikuperohet dhe të kthehet 100 për qind i gatshëm. Nuk do të jetë çështje ditësh, por shpresojmë jo shumë gjatë”, ka deklaruar ai.

Mbetet e paqartë nëse sulmuesi francez do të jetë gati për përballjen e 1/8 së finales së Champions League kundër Manchester City, e planifikuar për 11 dhe 17 mars.

Ndërkohë, Franca ka planifikuar dy ndeshje miqësore në fund të muajit, ndërsa ndeshjen e parë në Kupën e Botës do ta zhvillojë më 16 qershor kundër Senegalit.