Real Sociedadi eliminon Athletic Bilbaon dhe siguron finalen e Kupës së Mbretit
Finalja e Kupës së Mbretit në Spanjë do të luhet mes Atletico Madrid dhe Real Sociedad.
Skuadra nga San Sebastiani e ka siguruar biletën për në finale pasi ka mposhtur 1:0 rivalin bask Athletic Bilbao në ndeshjen e kthimit, duke e fituar gjysmëfinalen me rezultat të përgjithshëm 2:0.
Ndeshja në “Reale Arena” ka nisur me ritëm të lartë. Athletic ka rrezikuar që në minutat e para me një goditje me kokë të Alex Berenguer, por topi ka shkuar pranë shtyllës.
Të dyja skuadrat e kanë kërkuan golin, ndërsa portieri Alex Padilla ka bërë një pritje të mirë duke ia mohuar golin Carlos Soleri pas një goditje dënimi.
Momenti vendimtar i takimit ka ardhur në minutat e fundit. Kapiteni i Sociedad, Mikel Oyarzabal, ka realizuar nga pika e bardhë katër minuta para fundit, duke vulosur fitoren 1:0 dhe kualifikimin në finale.
Real Sociedad tani ka mundësinë ta fitojë për herë të katërt Kupën e Mbretit dhe për herë të parë që nga triumfi i sezonit 2020 (i zhvilluar në vitin 2021). Për klubin bask, kjo do të jetë finalja e parë para tifozëve që nga viti 1988.