UEFA gjobit Real Madrid për përshëndetjen naziste të një tifozi

UEFA gjobit Real Madrid për përshëndetjen naziste të një tifozi

Sport March 06, 2026 - 18:32

UEFA ka gjobitur klubin spanjoll Real Madrid me pesëmbëdhjetë mijë euro për shkak të sjelljes raciste të një tifozi gjatë ndeshjes ndaj Benfica në "play-off" të Champions League.

Sipas njoftimit të UEFA-s, një tifoz i Real Madridit ishte filmuar duke bërë përshëndetjen naziste në shkallët e stadiumit "Santiago Bernabeu" para ndeshjes së kthimit të javës së kaluar.

Komisioni disiplinor i UEFA-s e ka vendosur gjobën prej pesëmbëdhjetë mijë eurosh “për sjellje raciste apo diskriminuese të tifozëve”. Përveç kësaj, është vendosur edhe mbyllja e pjesshme e stadiumit me 500 ulëse në tribunën jugore për një ndeshje, por ky dënim është pezulluar për një vit.

Pas ndeshjes, Real Madrid ka bërë të ditur se tifozi në fjalë ishte identifikuar nga stafi i sigurisë dhe ishte përjashtuar menjëherë nga stadiumi. Gjithashtu klubi madrilen ka njoftuar se kishte nisur procedurat për përjashtimin e tij nga anëtarësia në klub.