Vazhdon spektakli i Ligës së Kampionëve, sytë drejt Parisit dhe Madridit

Vazhdon spektakli i Ligës së Kampionëve, sytë drejt Parisit dhe Madridit

Sport March 11, 2026 - 08:55

Ndeshjet e para të fazës së 1/8-s së finales të garës më prestigjioze për klube në botë, Ligës së Kampionëve, do të vazhdojnë sonte (e mërkurë) në katër stadiume të ndryshme evropiane.

Takimi i parë i mbrëmjes do të zhvillohet mes Bayer Leverkusen dhe Arsenalit. Skuadra gjermane do ta presë ekipin londinez në “BayArena”, duke synuar një rezultat pozitiv para ndeshjes së kthimit në Londër.

Arsenali, i drejtuar nga trajneri Mikel Arteta, po kalon një sezon shumë të mirë dhe konsiderohet një nga ekipet më konkurruese në Evropë këtë edicion. Kjo ndeshje është planifikuar të fillojë nga ora 18:45.

Ndërkohë, tre përballje të tjera shumë interesante do të zhvillohen duke filluar nga ora 21:00.

Një nga ndeshjet më tërheqëse të mbrëmjes do të jetë ajo mes PSG-së dhe Chelseat në “Parc des Princes”.

Kampioni francez hyn në këtë përballje me statusin e favoritit, duke qenë në formë shumë të mirë në kampionatin vendas, ndërsa skuadra londineze synon të marrë një rezultat pozitiv në udhëtim për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim para ndeshjes së kthimit në “Stamford Bridge”.

Po në të njëjtën kohë do të zhvillohet edhe një tjetër përballje spektakolare mes Real Madridit dhe Manchester Cityt në “Santiago Bernabeu”. Këta dy gjigantë të futbollit evropian janë përballur shpesh në vitet e fundit në Ligën e Kampionëve dhe pritet një tjetër duel i fortë mes tyre në luftë për një vend në çerekfinale.

Ndërkohë, kampioni norvegjez Bodo/Glimt do ta presë Sporting Lisbonën në stadiumin “Aspmyra”, në një përballje ku të dy skuadrat synojnë të bëjnë hapin e parë drejt kualifikimit në fazën tjetër të kompeticionit.

Kujtojmë se ndeshjet e kthimit të kësaj faze do të zhvillohen më 17 dhe 18 mars, ku do të vendosen ekipet që do të sigurojnë një vend në çerekfinalet e këtij kompeticioni.

Të gjitha ndeshjet e ditës së sotme:

Leverkusen – Arsenal (18:45)

Bodo Glimt – Sporting Lisbon (21:00)

PSG – Chelsea (21:00)

Real Madrid – Manchester City (21:00)

/Telegrafi