Sllovaki - Kosovë, shiten të gjitha biletat

Sllovaki - Kosovë, shiten të gjitha biletat

Sport March 16, 2026 - 15:17

Federata e Futbollit e Sllovakisë ka njoftuar se tashmë janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen ndaj Kosovës, e cila do të zhvillohet më 26 mars në Stadiumin Nacional, në Bratislavë.

Kjo përballje është e vlefshme për gjysmëfinalen e play-offit për kualifikim në Kupën e Botës 2026 dhe interesimi i tifozëve vendas është shumë i madh.

Drejtori i federatës sllovake, Lukash Donoval, është shprehur i kënaqur me interesimin e madh për këtë ndeshje, duke theksuar se përkrahja e tifozëve është një motivim i madh për ekipin e tyre.

“Jemi shumë të lumtur të njoftojmë se të gjitha biletat janë shitur. Kjo tregon qartë se ekipi nacional i Sllovakisë gëzon mbështetje të madhe dhe se kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për tifozët tanë. Jemi të bindur se ata do të krijojnë një atmosferë fantastike në stadium”, ka thënë ai.

Sipas Donovalit, një stadium i mbushur mund t’u japë lojtarëve energjinë e nevojshme për të dhënë maksimumin në një sfidë të rëndësishme si kjo.

“Stadiumi i mbushur mund t’u jap lojtarëve energjinë e duhur për të performuar në nivelin më të lartë dhe për të kaluar pengesat e vështira. Dua t’i falënderoj tifozët për interesimin e madh dhe përkrahjen. Së bashku jemi më të fortë”, ka shtuar drejtori i federatës sllovake.

Fituesi i ndeshjes mes Sllovakisë dhe Kosovës do të përballet në finalen e play-offit me fituesin e përballjes Turqi-Rumani më 31 mars.

Përfaqësuesja që triumfon në finale do të sigurojë një vend në Kupa e Botës 2026, turne që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. /rtk