Foda optimist para ndeshjes me Sllovakinë: Kosova synon finalen e play-offit për Botërorin 2026
Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, është shprehur optimist para ndeshjes me Sllovakinë.
Trajneri Foda në një konferencë për media foli për duelin e së enjtes, i vlefshëm për gjysmëfinalen e play-offit të Botërorit 2026.
Ai theksoi se ndeshja do të jetë e vështirë, mirëpo sipas tij lojtarët janë të përgatitur.
“Nuk kemi ndonjë shqetësim sa i përket ndeshjes kundër ekipit të Sllovakisë. Ne jemi të vetëdijshëm se nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por e dimë që Sllovakia ka një ekip shumë të fuqishëm. E dimë që, sapo ta marrë topin, di të luajë shumë mirë në kundërsulme, por ne kemi shumë besim në Përfaqësuese. Kemi treguar kualitetet tona, sidomos në ndeshjet e fazës së grupeve, ku kemi dëshmuar se edhe si mysafir luajmë shumë mirë dhe mund të fitojmë ndeshje. Tani kemi tri ditë stërvitje, gjatë të cilave do të përgatitemi intensivisht për këtë ndeshje dhe, sigurisht, duam të luajmë në finale në shtëpi. Do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të fituar ndeshjen kundër Sllovakisë”, tha ai. /EO